Çfarë ndodhi me vrasjen në Kaçanik të Vjetër, ende asnjë i arrestuar - deklarohet Prokuroria

Aktuale

Çfarë ndodhi me vrasjen në Kaçanik të Vjetër, ende asnjë i arrestuar - deklarohet Prokuroria

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 12:03
Nysret Cena

Asnjë person nuk është arrestuar për vrasjen e 48-vjeçarit Nysret Cena, ndodhur me 23 janar në Kaçanik të Vjetër.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Vjosa Baftiu, tha se në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore për zbardhjen e këtij rasti.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar më parë, Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë gjitha veprimet hetimore dhe janë duke punuar në mënyrë intensive që të zbardhet ky rast. Për të gjitha informatat tjera lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me kohë”, tha Baftiu.

Policia ka njoftuar se për vrasjen është informuar me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50, ku në automjet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër ndodhej Nysret Cena.

Më pas policia kishte pranuar një informacion tjetër se në fshatin Soponicë të Kaçanikut afër autostradës një automjet tjetër i udhëtareve ishte përfshirë nga flaka.

“Ekipet zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin”, njoftoi policia.

Por, jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flakët.

Sipas policisë, ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.

“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka konfirmuar policia.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, kishte deklaruar se pronari i targave të veturës Passat që u gjetën të vendosura në veturën e djegur Mercedes, është intervistuar dhe i njëjti kishte deklaruar në polici vjedhjen e targave të veturës së tij më 10 nëntor 2022.

Nysret Cena, ish-ushtar i UÇK-së, është emër i njohur për organet e drejtësisë. Ai ishte i akuzuar për dy raste, por që më pas ishte liruar nga akuzat.

Cena akuzohej për shpërthimin që kishte ndodhur në vitin 2007 në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë.

I njëjti së bashku me dy persona tjerë ishte i akuzuar për vrasjen e trefishtë afër Kaçanikut, ndodhur në vitin 2007, por që ishte liruar edhe nga kjo akuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat