​Deputetët kritikojnë Kurtin: Plani evropian duhet ta ketë brenda njohjen reciproke

Aktuale

​Deputetët kritikojnë Kurtin: Plani evropian duhet ta ketë brenda njohjen reciproke

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 14:37
Foto nga takimi

Partitë opozitare po konsiderojnë se kryeministri Albin Kurti nuk ka konsistencë në qëndrimet e tij, derisa po e kritikojnë për mos informim të deputetëve rreth planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Të hënën, kryeministri ka thënë se e pranon propozimin e njohur si plani franko-gjerman duke theksuar se i njëjti është bazë e mirë për diskutime të mëtejme. Ndërkohë deputetët opozitarë theksojnë se ky plan nuk ka kuptim dhe nuk duhet pranuar derisa nuk e ka brenda njohjen reciproke.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj vlerëson se shefi i ekzekutivit i ka lënë në terr informativ në këtë temë, sipas tij duke mos treguar se çka ka pranuar dhe cilat janë obligimet e Kosovës në këtë plan.

Lekaj: Jemi në terr informativ sa i përket planit franko-gjerman

Sa i përket pranimit të plani franko-gjerman për marrëveshje, mendoj që jemi në një terr informativ nga kryeministri i Kosovës sepse nuk dihet se çka ka pranuar, cilat janë pikat e kësaj marrëveshjeje, cilat janë obligimet ndaj Kosovës për këtë marrëveshje dhe a përfshihet Asociacioni që e ka kundërshtuar fuqishëm edhe në opozitë por edhe si kryeministër i vet. Dhe kjo të lë të kuptosh që kemi një ndryshim rrënjësor në politikën e qeverisë së Kosovës, personalisht të kryeministrit të Kosovës, zotit Kurti, sepse është mjaft labil në qëndrimet e veta kështu që ka krijuar huti edhe tek qytetarët e sidomos edhe tek deputetët, sepse nuk kemi pasur sqarim apo raportim të qeverisë në këtë rast kryeministrit dhe të thotë çka përmban ky plani franko-gjerman”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj derisa thotë se plani duhet të jetë bazë për bisedime, por thekson se i njëjti nuk ka kuptim pa njohjen reciproke në të.

Qalaj: Nuk ka konsistencë në qëndrimet e Kurtit

Mendoj që nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tij, ju e keni parë pak ditë më herët e pranoj në njëfarë mënyre çështjen e formimit të Asociacionit dhe tash po ashtu e pranoi planin franko-gjerman apo planin e Bashkimit Evropian. Realisht unë mendoj që plani franko-gjerman duhet të jetë një bazë për bisedime të mëtutjeshme sepse nuk ka kuptim nëse ky plan në përmbajtje nuk e ka edhe njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, mendoj që as duhet të diskutohet për këtë punë”, thotë deputeti i PDK-së.

Se ky plan nuk duhet pranuar pa njohjen reciproke brenda tij, e thotë edhe deputeti Lekaj.

Lekaj: Nuk duhet të pranohet një plan në të cilin nuk është njohja reciproke në qendër

“Ju i dini deklarimet e zotit Kurti që çdo herë e ka përmend që në plan apo në marrëveshje duhet të jetë njohja në qendër dhe tani ta pranojë një plan të tillë që krijon një status quo dhjetë vjeçare, mendoj që atëherë duhet ta pyesni zotin Kurti. Por ne nuk kishim pranuar dhe jemi të bindur që nuk duhet të pranohet një plan që nuk është njohja në qendër”, ka shtuar ai.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate për media, shprehu qëndrimin se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen. Sipas LDK, vendit i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve - si shtete të pavarura sovrane.

Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin”, u tha në reagimin e LDK.

Kryeministri i vendit Albin Kurti dhe vartësi i tij i ngarkuar për dialog Bensik Bislimi, të hënën janë takuar në një drekë pune me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Kurti ka shkruar se e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke shtuar se i njëjti është bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe një platformë sovile për të ecur përpara.

E Miroslav Lajcak ka dhënë sinjale për një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi propozimin në parim. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajcak.

Ndërsa sot ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i cili ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.

ShBA është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së, dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e lehtësuar nga BE. Marrëveshja e përkohshme do të sjell përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe Serbinë”, ka shkruar diplomati amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat