Tirana zyrtare, e dyzuar dhe ‘indiferente’ në qëndrimet për Kosovën

Aktuale

Tirana zyrtare, e dyzuar dhe ‘indiferente’ në qëndrimet për Kosovën

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 17:27
Edi Rama dhe Albin Kurti

Pas heshtjes disa javore mbi kërkesën gjithmonë e më këmbëngulëse të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve ndaj Kosovës për të pranuar krijimin e të ashtuquajturit “Asocacion i komunave me shumicë serbe”, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mbajti një qëndrim të dyzuar në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN, ku në gjysmën e fjalisë mbështetet qëndrimi i qeverisë së Kosovës e në gjysmën tjetër ai i partnerëve ndërkombëtarë.

“Ndërsa mbështesim vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur demokratisht, në një shtet sovran dhe të pavarur, jemi njëkohësisht falënderues për angazhimin intensiv dhe serioz të BE-së dhe ShBA-së në procesin e dialogut dhe përpjekjet e tyre për krijimin e një momenti të ri në këtë diskutim të vështirë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës pranë Ministrisë së Jashtme.

Pas tensioneve dhe një serie incidentesh në Veri të Kosovës në fund të vitit të kaluar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur presionet për një marrëveshje të ashtuquajtur përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Në tavolinë është një plan që njihet gjerësisht si “Propozimi Franko-Gjerman”.

Marrëveshja, siç thonë palët, ka si qëllim të normalizojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe të shmangë përshkallëzim të konfliktit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një sqarim në parlament për këtë plan thotë ndër të tjera se ai përfshin njohjen reciproke, normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshi atë për krijimin e një “Asocacioni të komunave me shumicë serbe”.

Kjo pikë e marrëveshjes u dakordësua fillimisht nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç në vitin 2013, por u shpall pjesërisht antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kryeministri aktual, Kurti këmbëngul që ky vendim i gjykatës të zbatohet, duke refuzuar asociacionin siç përshkruhet në marrëveshjen e vitit 2013.

Kjo ka sjellë rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës.

Përmes një letre të hapur më 30 janar, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, apeluan që asociacioni të krijohej. “Ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.”, thuhet në letrën e hapur publike.

Në këtë situatë, Tirana zyrtare ka zgjedhur të heshtë publikisht.

Në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN, Ministria e Jashtme e quan vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të panegociueshëm, por mbështet negociatat për Asosacionin.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në vlerësimin tonë vendimi i Gjykatës Kushtetuese së Kosovës është një vendim i panegociueshëm dhe palët mund të ulen dhe të negociojnë një kuadër të ri ligjor mbi statutin dhe funksionimin e Asociacionit, vetëm mbi bazën e këtij vendimi,” thuhet në përgjigje.

Enver Robelli, gazetar nga Kosova me qëndrim në Zvicër, që shkruan për të përditshmen zviceriane “Tages Anzeiger” i konsideron deklaratat e qeveritarëve në Tiranë për Kosovën si indiferente.

“Kanë qenë aq indiferente thua se për Kosovën po prononcohej qeveria e ndonjë principate të largët dhe jo Shqipëria, e cila ka edhe obligim kushtetues të mbështes shqiptarët jashtë Shqipërisë,” tha Robelli për BIRN.

Sipas tij, arsyet e këtij qëndrimi të ftohtë duhen parë në atë që ai e quan dështim të projektit për të ndryshuar kufijtë e Kosovës. Gjithashtu, Robelli kritikon edhe angazhimin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Shqipëri, që përkeqësoi më tej marrëdhëniet.

Robelli është i ashpër edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, që sipas tij mban përgjegjësinë kryesore për situatën mes dy vendeve.

“Por arsyeja kryesore e acarimit është protagonizmi i dëmshëm i kryeministrit të Shqipërisë në raport me Kosovën, mënyra se si ai me mjaft arrogancë ka celebruar miqësinë e tij me presidentin serb, nonshalanca me të cilën ka folur për krimet serbe në Kosovë, gjuha pa takt në forume ndërkombëtare”, përfundoi Robelli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat