Presidentja Osmani pritet nga Abazoviq në Mal të Zi, diskutojnë për zgjerim të bashkëpunimit në disa fusha

Aktuale

Presidentja Osmani pritet nga Abazoviq në Mal të Zi, diskutojnë për zgjerim të bashkëpunimit në disa fusha

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 19:46
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur në takim nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në takim me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë.

Presidentja Osmani tha se për Kosovën, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi.

Presidentja Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoi rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi.

Me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet aktuale në rajon me ç’rast vuri theks të veçantë në tendencat e Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit. Presidentja Osmani ka kërkuar qëndrim të unifikuar kundrejt tendencave për destabilizim dhe ka theksuar se synim i përhershëm i Kosovës është paqja dhe stabiliteti i vendit dhe rajonit.

Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat