Rexhepi dhe Kameri deklarohen të pafajshëm për rastin e 11 vjeçares

Aktuale

Rexhepi dhe Kameri deklarohen të pafajshëm për rastin e 11 vjeçares

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 23:00
Pamej nga gjykata

Ekrem Rexhepi dhe Shkëlqim Kameri janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta, për keqtrajtim seksual të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë.

Deklarimi i tyre dhe leximi i aktakuzës është bërë prapa dyerve të mbyllura, për shkak të informacioneve të ndjeshme.

Akti akuzues, përkundër vërejtjeve të gjykatësit Adnan Isufi, nuk ka pësuar asnjë ndryshim, pasi kështu vendosi Gjykata e Apelit.

“Gjyqtari pretendoi se vendimi i Gjykatës së Apelit është që të shkohet direkt në shqyrtim gjyqësor me këtë aktakuzë. Gjyqtari iu përmbajt këtij vendimi dhe shkuam në shqyrtim gjyqësor pa e ndryshuar aktakuzën”, ka deklaruar Fitim Limani, avokat i Ekrem Rexhepit.

Avokati i të akuzuarit Ekrem Rexhepi, Limani, ka treguar se të gjitha kundërshtimet do t’i bëjnë në seancat e radhës.

Në këtë rast akuzohen pesë persona, dy prej tyre të rritur, kurse tre të tjerë të mitur.

Rexhepi dhe Kamberi akuzohen për “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Trafikim me njerëz”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, të dy mund të dënohen së paku me gjobë dhe me burgim prej pesë deri në dymbëdhjetë vjet.

Sikur për ta, gjykimi në Departamentin për të Miturit po vazhdon për tre të akuzuarit e tjerë të cilët janë nën moshën 18 vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat