Studenti nga Kosova që e “djersiti” Jeremiqin me pyetjet e tij në Vjenë

Aktuale

Studenti nga Kosova që e “djersiti” Jeremiqin me pyetjet e tij në Vjenë

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 22:01
Flamur Lladrovci

Politikani dhe diplomati serb, Vuk Jeremiq, gjatë ditës së martë ka qëndruar në Austri, pasi që ishte ftuar në cilësinë e folësit nga Akademia Diplomatike e Vjenës.

Me temën “Roli i Gjeopolitik i Ballkanit”, diskutimin e tij ai e kishte zhvilluar më shumë për rolin e Serbisë se sa për atë që ishte thirrur të flasë.

Duke treguar se si Kosova e ka shpallur Pavarësinë e saj “në mënyrë të njëanshme”, e se si Administrata e Bushit kishte vepruar “gabimisht” me njohjen e mëvetësisë së saj, Jeremiqi u zu në befasi nga një djalë i ri që u ngrit në këmbë dhe ia bëri ca pyetje të vështira.

Ishte Flamur Lladrovci nga Gllanasella e Drenasit, që momentalisht studion shkencat politike në Universitetin e Vjenës, ai i cili “e zgjoi” Jeremiqin nga “ëndrra e tij e bukur” me pyetjet e tij.

Klan Kosova e ka zhvilluar një bisedë me Lladrovcin për të mësuar më shumë rreth ngjarjes që ndodhi në kryeqytetin e Austrisë.

“Ka qenë një diskutim i hapur që është organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës. Ata mbajnë shpesh takime dhe unë kam shkuar së bashku me një mik timin. Tema që ka qenë ‘Roli Gjeopolitik i Ballkanit’ ku Vuk Jeremiqi ka qenë i ftuar në cilësinë e folësit. Ai në fakt ka folur shumë pak për rolin gjeopolitik të Ballkanit; ndërsa ka folur më shumë për Serbinë”.

“Ai non-stop e ka nënvizuar qëndrimin e tij ndaj Kosovës – ka thënë që Kosova nuk e ka marrë pavarësinë në mënyrë ligjore dhe se ka qenë gabimi i madh i Administratës së Bushit që e ka përkrahur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, thotë studenti kosovar.

Lladrovci tregon se ka qenë i vetmi shqiptar në atë sallë ku është zhvilluar diskutimi dhe se ai nuk e ka kundërshtuar fjalimin e Jeremiqit pa i ardhur koha për pyetje.

“Takimi ka zgjatur një orë e gjysmë. Një orë ka folur ai dhe gjysma tjetër na ka takuar neve që të bëjmë pyetje sepse ka qenë një diskutim i hapur. Aty ka pasur shumë studentë në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Kanë qenë edhe disa austriakë të moshuar të cilëve nuk ua kam ditur profesionin – shqiptarë nuk ka pasur hiç”.

“Unë e kam ditur që po organizohet një diskutim i tillë dhe kam dashur ta dëgjoj mendimin tjetër për gjendjen e Ballkanit”, shprehet ai.

I riu kosovar tregon se në temën e parë ku është ballafaquar me diplomatin serb, ka pasur të bëjë me numrin e shteteve që e kanë njohur mëvetësinë e shtetit më të ri në Evropë.

“Ka thënë se aktualisht janë më pak se 100 shtete që e njohin Kosovën, pasi që sipas tij, shumë prej tyre i kanë tërhequr njohjet”.

“Ai tha se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës nuk tregojnë nëpër media se në çfarë kushtesh jeton minoriteti serb në Kosovë. Edhe këtu e kam kundërshtuar dhe e pyeta se ‘pse ju nuk flisni për minoritetin shqiptar që jeton në Serbi’? Pastaj i mora si shembull përmendoret e dëshmorëve në Luginën e Preshevës dhe e pyeta se ‘pse janë hequr përmendoret e heronjve të shqiptarëve?’”, vazhdon Lladrovci në bisedën me klanin.

Studenti kosovar tregoi se si Jeremiqi, në ligjërimin e tij ka theksuar se Serbia e ka identitetin e saj kombëtar që përbëhet nga gjuha, feja dhe shkrimi.

“Këtu unë e pyeta se çfarë përfiton Kosova nga të qenit pjesë e Serbisë kur nuk e ka të njëjtë as gjuhën, as shkrimin dhe as fenë?”.

“Jeremiqi në fakt nuk u përgjigj tamam në pyetjet e mia. Ai insistoi duke thënë se aktualisht janë më pak se 100 shtete që e kanë njohur Kosovën. Sa i përket minoriteteve, ai nuk u përgjigj për minoritetin shqiptar, por tha se komuniteti hungarez qëndron shumë mirë në Serbi, pasi që sipas tij, janë edhe në Qeveri. Ndërsa në pyetjen se çka përfiton Kosova nëse është pjesë e Serbisë, ai nuk u përgjigj fare”, potencoi Flamur Lladrovci.

I pyetur se a pati ndonjë reagim nga audienca për këto pyetje që ia drejtoi Jeremiqit, Lladrovci tha se në sallë më shumë ka pasur austriakë të cilët kanë qenë neutralë karshi kësaj ngjarjeje.

Kujtojmë se Jeremiqi ka shërbyer  si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga viti 2012 deri më 2013 dhe si Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë nga 2007 deri më 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat