Konjufca: Përmes Asociacionit Serbia do autonomi, ne kurrë nuk do t’ia japim

Aktuale

Konjufca: Përmes Asociacionit Serbia do autonomi, ne kurrë nuk do t’ia japim

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 23:23
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Serbia në Kosovë kërkon autonomi territoriale përmes themelimit të një Asociacioni të Komunave me shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive.

Konjufca ka thënë se Kosova kurrë nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Pozicioni i Serbisë është autonomi territoriale në Kosovës. Ne kurrë nuk do t’ia japim atë, kurrë. Nuk është e mundshme kjo, a kupton? Është pak banale me thënë, në kuptimin absolut universal, është e pamundshme të gjendet një formë asociacioni. Ne kemi bre asociacion të komunave në Kosovë”, ka thënë Konjufca në T7.

Konjufca është shprehur skeptik që një marrëveshje për Asociacionin mund të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se Vuçiqi nuk pranon Asociacion pa kompetenca ekzekutive, ndërkaq, siç ka thënë ai, Kosova nuk e pranon asnjëherë Asociacionin me kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni si formë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës, kurrë nuk ka me u bo. Vuçiqi nuk e pranon një Asociacion jo-ekzekutiv, Kosova nuk e pranon një Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se Kosova ka garanca ndërkombëtare që Asociacioni një-etnik dhe me kompetenca ekzekutive nuk mund të bëhet në Kosovë.

“Por, ata po thonë shko fol me Vuçiqin”, ka thënë Konjufca. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat