Kërkesa për rritje të çmimit të energjisë vlerësohet e panevojshme

Aktuale

Kërkesa për rritje të çmimit të energjisë vlerësohet e panevojshme

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 23:35
KEK

KEDS ka disa javë që i është drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me kërkesë për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Tarifave.

Nga ZRRE kanë treguar se këtë veprim KEDS-i e bëri për t’iu mundësuar tejkalimi i të hyrave maksimale.

“Është arritur pragu i materialitetit i përcaktuar në Rregullat e të Hyrave të  Lejuara për operatorët e rregulluar, rrjedhimisht janë plotësuar kushtet për hapjen e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm. Shkaktarët kryesor për tejkalimin e pragut të materialitetit bazohen në mungesën e të hyrave të realizuara dhe të kostove më të larta të energjisë me shumicë krahasuar me ato të parashikuara”, ka thënë ZRRE-ja.

Nga KEDS në një përgjigje të shkurtë, kanë thënë se po veprojnë bazuar në rregulloret në fuqi.

Në këtë mënyrë, do të kishte rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, veprim që i duket i panevojshëm Liron Gjocajt nga INDEP, pasi ai tregon se çmimet e importit kanë rënë ndjeshëm krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në atë kohë çmimet e importit të energjisë elektrike shkonin deri në 700 euro për megavat orë, në kohën e pikut, pra kur kërkesa ishte më e madhe për energji elektrike, ndërsa sot nëse e shohim çmimet për import të energjisë elektrike në kohën e pikut variojnë diku në 170 deri në 180 euro për megavat orë. Nuk e shohim të arsyeshme nëse merren përbazë çmimet e importit dhe nëse merret përbazë aspekti i mbrojtjes së konsumatorit”, ka deklaruar Liron Gjocaj – INDEP.

Në gjithë këtë situatë, sipas deputetit të PDK-së, Ferat Shala, fajin e ka Qeveria.

“Qeveria ka dështu në miratimin e strategjisë, qeveria ka dështu në miratimin e plotësim-ndryshimit e ligjit për energji të cilin tashmë e ka inicu dhe qeveria në seancat e fundit ka dështu po ashtu në vendosjen e masave emergjente”, ka theksuar Ferat Shala – PDK.

Por kështu nuk mendon edhe Mimoza Kusari – Lila.

“Përderisa kërkesa mund të kenë operatorët, dhe gjithë ata që janë pjesë e sektorit të energjisë dhe pastaj varet nga vendimi i ZRrE dhe nga veprimet e qeverisë. Ne kemi pasur kërkesë të tillë edhe më herët megjithatë ka intervenuar Qeveria me subvencion. Mbi 208 mijë familje janë përfitues jo vetëm të subvencionit përmes qeverisë që ka paguar”, ka thënë Mimoza Kusari Lila – Shefe e GP të VV-së.

Procesi i shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave është në fazën e vlerësimit. Çmimi i energjisë elektrike është rritur para rreth një viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat