Gazetari shqiptar në Turqi thotë se lajmet për tërmetin po censurohen nga Erdogani

Aktuale

Gazetari shqiptar në Turqi thotë se lajmet për tërmetin po censurohen nga Erdogani

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 00:17
Sokol Brahaj

Sokol Brahaj, gazetar në Turqi, ka folur për më të rejat në lidhje me tërmetin shkatërrues të së hënës që mori jetën e më shumë se 12 mijë njerëzve.

Brahaj tha se në orën e fundit janë shpëtuar edhe tre veta nga rrënojat, ndërkaq shtoi se mbi nëntëmijë ekipe shpëtimi nga e gjithë bota po ndihmojnë në gjetjen e viktimave.

Brahaj madje tha se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk është pritur aspak mirë nga banorët e zonave të prekura nga tërmeti. Ata, sipas Brahajt, ishin shumë të nevrikosur në lidhje me reagimin e ngadaltë të qeverisë pas tërmetit shkatërrues. E kjo ka bërë që Erdogani, sipas gazetarit, ta censurojë rrjetin social Twitter dhe mediet turke.

“Populli në atë zonë është shumë i nevrikosur e i mërzitur me qeverinë. Ata shprehën pakënaqësi shumë të madhe për Erdoganin, pasi institucionet e shtetit kanë qenë shumë të ngadalta në reagim, ku ndihma e shpejtë e humanitare ka vonuar mbi 24 orë në disa zona. Thuhet në mediet turke që Erdogani nuk priste reagime të forta nga populli atje dhe e ka censuruar Twitter-in… Qeveria turke ka bërë censurim edhe në media, ku çdo lajm kalon në një kontroll e pastaj publikohet”, u shpreh Brahaj.

Gazetari shqiptar tha se ende ka shumë njerëz që gjenden nën rrënoja në disa zona dhe aty ende s’ka mbërritur asnjë grup i kërkim-shpëtimit. Edhe për këtë, sipas tij, po kritikohet qeveria.

Ai shtoi se nga tërmeti i së hënës janë prekur rreth 13 milionë e gjysmë banorë, ku shumë prej tyre janë larguar për në zona të tjera, e disa nga ta po qëndrojnë nëpër veturat e tyre ose edhe nëpër çadrat që janë vendosur në stadiume.

Sipas tij, ka rrezik që shumë njerëz të vdesin nga të ftohtit.

“Nëpër stadiume janë bërë çadra e vendbanime për të dëmtuarit. Shumë pak futen në shtëpi, por në makina e çadra, shumë edhe kanë ikur për në Ankara, Stamboll e vende të tjera”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat