Përplasje e “ashpër” Murati- Abdixhiku për koeficientin në Ligjin për paga

Aktuale

Përplasje e “ashpër” Murati- Abdixhiku për koeficientin në Ligjin për paga

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 07:07 Përditësuar në ora: 19:02 më 09.02.2023
Kuvendi i Kosovës

Miratohet në parim koeficienti 105 euro, sonte leximi i dytë

Deputetët e Kuvendi të Kosovës kanë miratuar në parim ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore, përkatësisht koeficientin në vlerë prej 105 eurosh për pagat në sektorin publik.

Miratimi në parim i këtij koeficienti u bë me 63 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Ndërsa, me propozim të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, për mocion procedural për shmangie nga afatet e Rregullores për shqyrtimin e projektligjit në lexim të dytë, kuvendi vendosi që ky projektligj të shqyrtohet në lexim të dytë sonte prej orës 20:00. 

Deputeti Armend Muja, ka lexuar propozimin e LVV-së, për mbajtjen e seancës sonte prej orës 20:00. 

Muja: Propozojmë sonte shqyrtimin në lexim të dytë

“Pas miratimit në lexim të parë, amendamentet në Projektligjin për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2023 mund t’i adresohen komisionit funksional deri në orën 19:00 të datës 09.02.2023. Komisionet parlamentare deri në orën 19:30 të kësaj date duhet ta shqyrtojnë Projektligjin dhe raportet me rekomandime dhe ia paraqesin Komisionit funksional. Shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet në seancë të re plenare të datës 09.02.2023 duke filluar nga ora 20:00”, tha Muja. 

Debati në Kuvend gjatë ditës për koeficientin u përcoll me përplasje të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Deputeti i LVV-së: Jam modest, me pas rrogën e madhe nuk kam se ku e shpenzoj

Deputeti nga radhët e LVV-së, Jahja Kokaj, është shprehur i indinjuar me kategorizimin që i bëhet fizikanëve në koeficient, duke thënë se ata që punojnë në QKUK së shpejti kanë për ta lënë punën  dhe se profesorët universitar duhet të paguhen më shumë.

“Pajtohem që deputeti ta ketë rrogën më të madhe, por jo dyfish më të madhe sesa profesori universitar. Së pari duhet ta ngrisim lart, arsimin, shkencën dhe mendimin kreativ. Këto ne i kemi sakatuar kësaj radhe, për arsye se profesori e meriton një pagë më dinjitoze. Fundja, të ju them të vërtetën, unë nuk kam nevojë, sepse nuk kam shumë shpenzime jetësore, jeta ime është modeste, edhe me m’dhanë rrogë të madhe, nuk kam ku ta shpenzoj, përveç për trupin dhe mendjen time”, tha Kokaj në seancë, përderisa po diskutohet për koeficientin.

Tutje Kokaj tha se edhe mjekët specialistë meritojnë pagë “katërfish” më të lartë, por pyeti se ku të merren paratë.

“Konsideroj se paga e specialistëve mjekësor duhet të jetë të paktën edhe katër herë më e lartë sesa që është sot, por vjen pyetja ‘ku me i marrë ato të holla?’. Vetëm atëherë kur shtrihesh para operacionit, kur ai (mjeku) si engjëll, me mantill të bardhë sillet rreth jush dhe shpëton jetën, siç thoshte nëna ime “ndihmëtar i zotit”, ai (mjeku) meriton gjithçka, por unë konsideroj se paga e specialistëve është rritur dhe nëse prisni që ata ti ndalni me paga, është e pamundur, për arsye se paga në sektorin privat është dyfish apo trefish më e madhe”, u shpreh Kokaj.

Lushtaku flet për koeficientin: Vetëm rritje s’ka, në disa raste ka mbështetje të papunëtorëve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë në lidhje me vleren e koeficientit të pagave.

Në lidhje me këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, u shpreh se nuk ka rritje.

Ai gjithashtu tha se në disa raste ka mbështetje të papunëtorëve.

“Vetëm rritje nuk ka, në disa raste ka mbështetje të papunëtorëve, ndërsa ka nënçmim të atyre që e sakrifikojnë jetën e tyre, sakrifikojnë kohën e tyre me familje dhe mbajnë kujdestari për të shpëtuar jetë, ndërsa nuk mbështeten ata dhe në këtë kohë edhe pse prezantohet si rritje, është degradim dhe zvogëlim i pagave të tyre”, u shpreh ai.

Murati përplaset me Abdixhikun për koeficientin në Ligjin për paga

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është përplasur ashpër me deputetin, njëherësh kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ku po shqyrtohet Projektligji për plotësim-ndryshimin e buxhetit, ministri Murati tha se Abdixhiku po ia huq çdo koncepti ekonomik, kur po kërkon ngritjen e vlerës së koeficientit në 125 euro në kuadër të Ligjit për Paga.

“Sa i përket ligjëratës së Abdixhikut, mund të them mjerë studentët që kanë pasur rastin ta dëgjojnë. Me të vërtet është fatkeqësi. Kjo shihet edhe në rezultatin pastaj në tregun e punës që studentët që dalin nga profesor si ky, nuk kanë njohuri bazike për të konkurruar në tregun e punës. Dikush që thotë se inflacioni është krizë ekonomike, shihet se ia ka huqur çdo koncepti ekonomik. Inflacioni, rritja e çmimeve është inflacion, kriza ekonomike ka të bëjë me diçka tjetër. Dikush që pretendon me marrë mjete për t’i shtuar pagat sektorit publik dhe rritë diskrepancën me sektorin privat, e në fakt propozimi është për t’i marrë nga sektori privat, tregon se nuk e dinë as buxheti si funksionon. Jo vetëm ekonomia, por edhe buxhetin se kuptoni ju”, tha ai.

Atij i reagoi Abdixhiku, i cili tha se fajtori kryesor që është ministër sot Hekuran Murati, është deputeti Avduallah Hoti, siç tha që e ka mbajtur atë afër sa ka qenë ministër.

“Fajin për një ministër të tillë që e kemi sot e ka vetëm Avdullah Hoti, që e ka mbajtur afër në Ministri të Financave. Ky nuk ka lidhje bazike për zhvillimet më elementare që ndodhin aty...Prandaj për gjëra të tjera bazike edhe një herë po them vitin e ardhshëm mund të vish në ligjëratën e re dhe të kuptosh. Shumica e deputetëve të juaj kanë qenë studentë të mijë përndryshe”, theksoi ai.

Abdixhiku: Ditën e parë të qeverisjes tonë koeficienti do të jetë 125 euro

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në seancën parlamentare ka arsyetuar propozimin e këtij subjekti politik që vlera e koeficientit të jetë 125 euro.

Deputeti Abdixhiku tha se me të ardhur si LDK në qeverisjes vlera e koeficientit do të jetë 125 euro.

“E para sepse duhet të reflektoj inflacioni që po flasim tash e dy vjet nuk është inflacioni faji i punëve tona vendore, është i importuar, sepse është krizë globale por vendimet dhe veprimet tona përcaktojmë se si përballemi si shtet për qytetarët e vendit. Dhe me 125 euro koeficientin ne e përbëjmë këtë përballueshmëri ky zotëria dhe këta zotërinjtë e kanë rritur nivelit e përgjithshëm e pagave për 17% kaq kanë thënë, pra kaq është rritur më pak se sa që ka pas inflacion mesatare nuk mund të mburremi me një gjendje të tillë... Ditën e parë të qeverisjes tonë koeficenti do të jetë 125 është i mundshëm është i qëndrueshëm dhe i përballueshëm dhe prapë i pamjaftueshëm për krizën që po kalon Kosova”, u shpreh ai.

Ai madje ironizoi me ministrin e Financave, Hekuran Murati duke i thënë se mendja nuk ia ka marr që do të lë jetën akademike për politikë e prapë do të mbajë ligjërata për ekonomi në Kuvend.

“Nuk dua ta ofendoj ministrin e Financave por mendja nuk ma ka marr që do të lë jetën akademike për politikë e prapë do të duhej të mbajë ligjërata këtu për ekonomi në Kuvend të Kosovës dhe atë pasi kam dëgjuar ministrinë e Financave në vitin 2023…Prej ditës së parë që është ulur aty deri më sot thotë se është rritur inflacioni 11.6% sepse nuk e kupton dallimin bazik në ekonomi inflacioni vit për vit prej inflacionit periodik prej ditës që ke ardhur ti në pushtet dhe ai inflacion është 20% sipas ASK-së“, tha ai. 

PDK pretendon se janë shuar mijëra biznese në vend, përgjigjet Hajdari

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar qeverinë se në vendin tonë ka një numër të madh të bizneseve që kanë shuar veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Deputetja Musliu në seancën e sotme parlamentare theksoi se çdo ditë po raportohet për mbyllje të bizneseve dhe sipas saj numri i tyre ka kaluar shifrën katër shifrore ose me mijëra sosh.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari iu përgjigj deputetes së PDK-së se nuk është e vërtet që ka numër të madh të bizneseve të falimentuara.

“Arsyeja kryesore e mbylljes së bizneseve është për mungesë të klasës punëtore, që nënkupton se punëtorët në Kosovë keqtrajtohen prej pronarë të bizneseve, nuk kanë kontrata, nuk kanë sigurime, nuk respektohen oraret.

Dhe ata punëtorë janë të detyruar që të presin sot para ambasadave të Evropës për viza të punës. Vet fakti që kjo qeveri nuk ofron asnjë shpresë që për ata punëtorë në sektorin privat do të vijnë ditë të mira ku do të respektohet djersa dhe mundi i tyre, sot mijëra biznese po mbyllën në Kosovë”, tha ajo.

Ndërsa, ministrja e MINT, Hajdari duke kundërshtuar se ka numër të madh të bizneseve të shuara, ajo përmendi se ka rritje të numrit të kompanive të regjistruara.

“Numri që përmend se ka mijëra biznese të çregjistruara, është numër që i vendos bizneset pasive dhe aktive, sepse vetëm nga viti 2022 ka filluar kategorizimi i bizneseve pasive dhe aktive. Kështu që nuk ka qenë asnjë herë më herët ky kategorizim.

Për njoftimin tuaj, kanë qenë të mbyllura 1 mijë e 412, prej tyre 700 me ndryshim aktiviteti, kurse të regjistruara 11 mijë e më shumë. Por, nuk është e saktë që thuhet se janë mbyllur një numër i madh i bizneseve kur është kalimi i kategorisë në pasive. …

Arsyet e secilit pronar të bizneseve janë të natyrave të ndryshme. Ka prona të bzienseve që hap biznesin individual dhe dëshiron ta ndryshojë në statusin SHPK. Kështu që kanë qindra mijëra arsye, port ë gjitha këto arsye janë të identifikuara në rastin e çregjistrimit ose të pasivizimit.

Pra, ka rritje të numrit të bizneseve të regjistruara në 10 mijë e 12 mijë, kurse 700 biznese kanë kaluar në listën si SHPK”, thotë Hajdari.

Kuvendi aktualisht është duke shqyrtuar plotësim ndrsyshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore 2023, përkatsisht koeficientin për pagat të propozuar nga qeveria në vlerë prej 105 euro.

​Kuvendi miraton Projektligjin për byronë

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së bashku me 33 amendamente shtesë.

Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i dhanë edhe deputetët opozitarë të LDK-së. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha ky projektligj përmban gjitha shqetësimet që janë ngritur gjatë miratimit në lexim të parë.

Rrustemi: Në projektligj janë adresuar çështjet që disa deputetë i kanë ngritur si shqetësime

“Në projektligj janë adresuar çështjet që disa deputetë i kanë ngritur si shqetësime në seancën e parë kur është diskutuar, pastaj edhe në momentin kur është miratuar në lexim të parë. Janë rregulluar disa nga përkufizimet si palët e treta, përkatësisht palët me interes juridik, po ashtu janë hequr nga drafti personat e ekspozuar politikisht si dhe familjarët e personave zyrtar të cilat janë përfshirë ose integruar në nocionin palët e treta. Tek mbikëqyrja e Byrosë në amendamente është paraparë një mekanizëm tërësisht i pavarur me përfaqësues të institucioneve të pavarura të kategorisë kushtetuese dhe ligjore, siç janë një gjyqtar i Gjykatës Supreme, kryesues, pastaj anëtarë: Auditori i Përgjithshëm, drejtori i Agjencisë për parandalimin e korrupsionit, një zëvendës i Avokatit të Popullit, si dhe drejtori i njësisë së inteligjencës financiare”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se byroja le të bëhet, por jo në kurriz të politizimit.

Kica-Xhelili: Byroja le të bëhet, le të konfiskojë mijëra dhe miliona, por jo në kurriz të politizimit

“Pavarësisht të gjithave, këtij projektligji t’ia jep mbështetjen pas miratimit të Venecias. Pra do të votojmë për. Mbështetja me votë sidoqoftë nuk do të thotë se nuk kemi vërejtje dhe pyetje.

Drafti që po e votojmë sot fatmirësisht ndryshon nga drafti kundër kushtetues që u votua në korrik të vitit 2022, por megjithatë ka paqartësi...

Byroja le të bëhet, le të konfiskojë mijëra dhe miliona, pasi hajnisë asnjë qytetarë s’ia ka pasur hak dhe as sistemit të ngathtë të drejtësisë, por jo në kurriz të politizimit”, tha ajo.

Kurse, kundër u shpreh Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit, Hajdar Beqa, i cili tha se i njëjti është antikushtetues.

Beqa: Ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën

“Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në grupin punues, me arsye se konsiderojnë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën.

Duke pretenduar të aplikohet konfiskimi përmes procedurës civile, zbatu hetim nga një agjenci jashtë sistemit të drejtësisë do të cenohet në esencë liritë dhe të drejtat e garantuar me kushtetutë”, tha ai.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i projektligjit nuk është që të goditet ndonjë zyrtarë publikë, por vetëm pasuria e pajustifikueshme e cilido zyrtari.

Haxhiu: Nuk është qëllimi që të goditet një zyrtar, por pasuria e pajustifikueshme e cilido zyrtari

“Nuk është qëllimi që të goditet një zyrtar, por qëllimi është që të luftohet pasuria e pajustifikueshme e kujdo qoftë zyrtari”, tha ajo.

Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

​S’kalon mocioni i LDK-së për seancë të jashtëzakonshme për dialogun

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar mocionin e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Pro këtij propozimi votuan vetëm 13 deputetë, ndërsa 55 deputetë të mazhorancës votuan kundër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për të diskutuar për dialogun dhe planin e BE-së për dialogun me Serbinë, por jo sot “shkel e shko”, pasi ka pika të rëndësishme në agjendën e sotme parlamentare.

Kurti: Jam i hapur për diskutim për planin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

“Bisedimet për bazën e propozimit evropian nuk kanë filluar ende, por po diskutohet dhe bisedohet për propozimin, por jo për bazën e propozimit. Andaj unë do të kisha sugjeruar, por natyrisht kuvendi vendos. Nuk do të ketë as nesër, as pasnesër dhe as në fillim të javës së ardhshme takim në Bruksel. Pasi s’ka ftesë, nuk është diçka urgjente, unë javën e kaluar kam thënë thirrni seancë të Kuvendit. Nëse nuk e kemi bërë javën e kaluar siç duhet, mos të bëjmë sot për sot, pasi ka shumë pika të rëndësishme. Por lirisht, kur doni edhe unë po sjell më shumë ministra se zakonisht dhe disa deputetë që nuk janë dhe të bëjmë diskutimin të hapur dhe të thellë. Vetëm nuk jam duke bërë shkel e shko”, tha ai.

​Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga opozita, që me aq zell sa i thonë atij që mos ta pranojë marrëveshjen me Serbinë pa njohje reciproke, t’ia thonë këto fjalë edhe përfaqësuesit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, iu drejtua dy liderëve opozitarë, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, që kur të kenë takim me përfaqësuesin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të paramendojnë atë dhe të thonë se duhet të ketë marrëveshje finale, njohje reciproke dhe asgjë më pak.

Kurti: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit

“Ju inkurajoj, që ashtu qysh jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër dhe që nuk është marrëveshje finale, qysh m'i thoni mua - aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Albin Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Republikës së Kosovës nuk mundeni me i bë edhe me dashtë. Kur e keni Escobarin përpara paramendoni Albin Kurtin përpara dhe thoni Kosova Republikë, marrëveshje finale, njohje reciproke në qendër, asgjë më pak”, ka thënë Kurti.

Por atij i reagoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i kërkoi Kurtit të marrë transkriptet nga takimet e tij me përfaqësuesit e ShBA-së.

Krasniqi: Kurti bëhet në Twiter pulë dhe Facebook skifter

“Për dallim prej teje që në Twiter bëhesh pulë dhe në Facebook bëhesh skifter, lypi trasnkriptet në State Department dhe shiko a i kam thënë Esobarit pak më rëndë se ty. Ti je mësu me fol këtu, tjetër sen atje”, tha ai.

Në debat u përfshi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se qëndrimet e LDK-së për dialogun janë publike dhe s’kanë nevojë të jenë ndryshe para askujt.

Abdixhiku: Qëndrimet e LDK-së janë publike, s’kemi nevojë të jemi ndryshe para askujt

“Kryesia e LDK-së, kanë mbajtur mbledhje dhe kanë qëndrim të qartë dhe publik. Marrëveshja duhet të jetë finale, ligjërisht obliguese dhe duhet të ketë njohje në të. Ky është qëndrimi i LDK-së, mos shpif dhe mos sjell debatin ën çështje personale. S’kemi nevojë që as para Chollet dhe as para Escobarit të japim ndryshe. Janë qëndrime publike dhe nuk i fshehim. Janë qëndrime publike nuk i fshehim, është gabim edhe qëndrimi yt, por edhe zotëri Haradinaj që të flitet për një marrëveshje bazë”, shtoi Abdixhiku.

Atyre sërish iu replikoi Kurti, i cili tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajednicë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

Kurti: Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajednicë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajedincë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Por duke iu falënderuar qeverisë me mua kryeministër nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kryer ajo...Kur po jep deklarime Escobar, po thotë se për një njeri nuk ndalet Asociacioni, ai është momenti kur ju duhet me thënë se kryeministri nuk është vetëm. Por ju nuk dilni, heshtni”, tha ai.

​Kurti i përgjigjet Kadrijajt: S’kishim nevojë për atë lloj ndihme të Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjigjur edhe rreth akuzave se nuk pranoi ndihmën e Shqipërisë, pas vërshimeve dhe dëmeve të shkaktuara në disa komuna të Kosovës.

Ishte deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila kërkoi të dijë nga kryeministri Albin Kurti se pse konvoji i ndihmave nga Shqipëria për qytetarët e prekur nga vërshimet në qytetet e Kosovës, nuk u lejua të hyjë në vendin tonë.

Ndërkohë, Kurti tha se Kosova ishte në gjendje ta menaxhonte situatën.

Kurti: Ishim shumë larg prej limiteve të kapaciteteve tona të na vijë ndihmë Shqipëria

“Është e vërtetë që Shqipëria ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë me ushtrinë e saj kur ndodhën vërshimet javë më parë. Por, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme, kanë qenë të qarta se janë shumë falënderuese për gatishmërinë e Shqipërisë, porse nuk kanë nevojë për atë lloj ndihme, pasi ato aftësi i ka FSK-ja, policia dhe AME-ja. Ishim shumë larg prej limiteve të kapaciteteve tona të na vijë ndihmë Shqipëria”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat