Zbulohet plani i Komunës së Graçanicës kundër objekteve biznesore të shqiptarëve

Aktuale

Zbulohet plani i Komunës së Graçanicës kundër objekteve biznesore të shqiptarëve

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 09:17
Foto ilustrim

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Graçanicës, në krye me Jellena Stojanoviq ka planifikuar që ditët në vazhdim të fillojë me rrënimin e objekteve “pa leje” në këtë komunë. Kjo drejtori do të fillojë rrënimin e objekteve biznesore dhe shtëpive private.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se qëllim i komunës është rrënimi vetëm i objekteve me pronarë shqiptarë, ndërsa objektet e qytetarëve serbë të ndërtuara pa leje nuk planifikohet të rrënohen.

Kjo komunë para një kohe ka shpall tender në vlerë rreth 50.000 euro dhe ka shpall fituese një kompani vendore e cila do të kujdeset për rrënim.

Jellena Stojanoviq konisderohet njëra prej drejtoreve më me ndikim në këtë komunë dhe me lidhje të forta me zyrtarë të lartë të Listës Serbe dhe pushtetit në Beograd.

Përkundër dëshirës së kësaj komune për t’i rrënuar objektet e shqiptarëve, ligji është strikt sa i përket rrënimit. Asnjë objekt nuk mund të rrënohet pa vendim të gjykatës kompetente.

Media ka tentuar të kontaktojë drejtoren e Inspeksionit në komunën e Graçanicës, Jellena Stojanoviq, porse ajo nuk është përgjigjur.

Ndërkaq, për gjendjen në Komunën e Graçanicës ka shkruar para disa ditësh edhe avokati, Arianit Koci.

Ai ka thënë se në këtë komunë nuk respektohet fare dygjuhësia si në pjesët e tjera të Kosovës, dhe se zyrtarët serbë madje kanë filluar të përdorin alfabetin cirilik në komunikim me shqiptarët.

“Disa zyrtarë serbë në komunë, për faktin se shqiptarët nuk po ankohen, e besa nuk po kanë ku me u ankuar - po e shfrytëzojnë këtë fakt. Madje, po flitet që të njëjtit, po bëjnë edhe punë të tjera në kundërshtim me ligjet e Kosovës... Natyrisht, unë nuk kam mundësi me e konfirmuar këtë. Në fakt, kjo është punë e hetuesve dhe policisë në Kosovë... Bizneset më të mëdha i kanë selitë aty. Nëse disa zyrtarë komunal të kësaj komune tani nuk i respektojnë në mënyrë strikte ligjet pozitive të Kosovës - duke ia nisur nga parimi i dygjuhësisë - a thua çka do të ndodh kur forcohet subjektiviteti i komunave serbe me Asociacion?... P.s. Secili biznesmen që takohet me mua, më tregon që sipas informatave që i kanë, njeriu kyç në komunë - ai që mund t‘a kryej çdo punë është Radoçiqi, përmes njerëzve të partisë. ‘On je Bog i batina’ - më tha një serb”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat