“Thoni Escobarit s’ka marrëveshje pa njohje”, “Në Twitter pulë e FB skifter”, “Kryeministër mos shpif”, vazhdojnë përplasjet e Kurtit me opozitën

Aktuale

“Thoni Escobarit s’ka marrëveshje pa njohje”, “Në Twitter pulë e FB skifter”, “Kryeministër mos shpif”, vazhdojnë përplasjet e Kurtit me opozitën

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 13:30
Kurti, Krasniqi dhe Abdixhiku

Kanë vijuar replikat e kundër replikat mes kryeministrit Albin Kurti dhe dy kryetarëve të partive më të mëdha të opozitës.

Kurti është përplasur me Krasniqin e Abdixhikun për qëndrimet publike dhe ato në takime me ndërkombëtarët që lidhen me planin franko-gjerman.

I pari i Qeverisë e ka përmendur Gabriel Escobarin, duke theksuar se të njëjtat fjalë opozita do të duhej t’ia thoshte edhe atij.

“Unë ju inkurajoj që ashtu qysh jeni të vendosur për Kosovën se nuk pranojmë asgjë që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk pranojmë asgjë që s’është marrëveshje finale. Aman këto ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendoni që e keni Albin Kurtin përpara, e ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Republikës së Kosovës nuk mund t’i bëni” – tha ai.

Në kundër replikën ndaj kryeministrit, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se qëndrimet e kësaj partie janë të njëjta si në Kosovë si para Escobarit.

“Kryeministër për dallim prej teje që në Twitter bëhesh pulë e në Facebook bëhesh skifter, lypi transkriptet e bisedave në Uashington e shikoji që Escobarit ia kam thënë këto gjëra më rëndë se që po ti them ty. Pyeti Escobarin e Cholletin. Qëndrimet e PDK-së i keni publike. Të njëjtat i kemi thënë edhe në qytetin ku t’i ke harruar të shkosh. T’i bashkë me ish-kryeministrin [Haradinaj] keni shkatërruar e dhunuar për këtë Asociacion, Demarkacion e tash po i ndryshoni fjalët”.

Krasniqi ka thënë se Kryeministri po e fshehë një të vërtet të madhe për faktin se nuk po i sjellë dokumentet e dialogut.

Derisa nuk ka munguar as replika e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka thënë se kryeministri Kurti nuk është aspak serioz teksa diskuton për çështje kaq serioze.

“Është shpifje shumë e madhe të thuhet se partitë opozitare po provojnë ta rrëzojnë qeverinë në takime me ndërkombëtarët. Nuk të ka hije si lider i shumicës të sillesh kështu. Ne kemi pasur qëndrim të qartë dhe me komunikatë se marrëveshja duhet të jetë finale dhe të ketë njohje në të. Mos shpif dhe mos e sill debatin në çështje personale sepse janë çështje shumë serioze. Ne nuk kemi nevojë që as para Escobarit e as para Cholletit të sillemi ndryshe”, deklaroi Abdixhiku.

I pari i LDK-së tha se Kurti po sjellë marrëveshje që në parim është devijuese.

Kurti u është kundërpërgjigjur krerëve të opozitës duke iu thënë se e kanë lënë vetëm në raport me kritikat e Escobarit.

“Kur po jep deklarime Escobari se “për një njeri nuk ndalet Asociacioni”, ai është momenti kur ju duhet të dilni e të thoni “kryeministri nuk është vetëm”. Por ju nuk dilni. Ju vetëm heshtni”, ka vijuar tutje replikën Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat