Kurti: Nga unë s’e dëgjoni “Bac u kry”, s’është përmbushur ideali për bashkimin me Shqipërinë

Aktuale

Kurti: Nga unë s’e dëgjoni “Bac u kry”, s’është përmbushur ideali për bashkimin me Shqipërinë

Më: 2 mars 2023 Në ora: 12:02
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ish-presidenti, Hashim Thaçi është personalitet historik.

Kurti në këtë intervistë ka fol edhe për Ibrahim Rugovën e Adem Demaçin.

I pyetur se çfarë të përbashkëte kanë figurat si Adem Demaçi,Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi, Kurti ka thënë se të tri figurat duhen kujtuar me respekt.

“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur”, ka deklaruar Kurti.

Kurti e ka komentuar edhe sloganin e përdorur për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës,”Bac u Kry”,për të cilën ka thënë se për këtë nuk është përmbushur aspirata e bashkimit me Shqipërinë. Në përgjigjen e tij, Kurti vlerësoi se “aspirate kombëtare e shqiptarëve”, ka qenë bashkimi me Shqipërinë.

“Kosova është ëndrra historike e popullit të saj, është ideali i shumë gjeneratave të dëshmorëve përgjatë 87 viteve nën pushtimin serb e jugosllav në shekullin XX. Sigurisht, aspirata kombëtare e shqiptarëve, që kanë qenë gjithnjë shumicë e madhe në Kosovë, ka qenë vetëvendosja demokratike dhe bashkimi me shtetin tjetër të shqiptarëve, Shqipërinë. Ky ka qenë edhe betimi i ushtarëve të UÇK-së, edhe dëshira e heronjve, që nga Shaban Polluzha e deri te Adem Jashari. Në këtë aspekt, natyrisht, nuk mund të thuhet se ideali është përmbushur. Por nga ana tjetër, historia na vendos edhe një imperativ tjetër. Përgjatë një shekulli të vetëm shqiptarët janë rrudhur në shtrirjen e tyre gjeografike, nga rreth 90.000 km2 ku ata jetonin, deri në vitet 1870, sot ata jetojnë në gjysmën e asaj hapësire. Janë spastruar prej sanxhakut të Nishit e të Leskocit, prej Toplicës e Vranjës. Po ashtu, janë spastruar prej Çamërisë apo edhe prej shumë pjesëve ku jetonin në vilajetin e Manastirit”, tha ai.

Ndër të tjera Kurti tha se nga ai nuk do të dëgjohet parulla “Bac u kry!”.

“Pra, imperativi tjetër me të cilin ballafaqohet secili politikan me ideale kombëtare sot është që në asnjë mënyrë të mos lejohet zvogëlimi i mëtejshëm i sipërfaqes sonë. Sigurisht, kërkesa të kohës sonë janë edhe demokracia, zhvillimi arsimor e kulturor, rritja ekonomike dhe ajo e mirëqenies. Mendoj se këto të gjitha përbëjnë vizionin tim për Kosovën. Për këto punojmë. A janë realizuar dëshirat tona? Jo, sepse po të qe ashtu, do të duhej të ndalej puna e përpjekja e të pushonim të gjithë. Nga unë nuk do ta dëgjoni kurrë parullën “Bac u kry!”. Por do të dëgjoni vazhdimisht thirrje që të punohet më shumë e të përpiqemi më shumë. Puna e përpjekja për rritjen e forcimin e Kosovës në të gjitha aspektet, nuk bën të ndalen, kurrë”, theksoi tutje kryeministri Kurti.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për Ukshin Hotin, filozofin e zhdukur, dhe Epopenë e UÇK-së, duke thënë se tash Kosova po zhvillohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat