Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës, krahas politikave zhvillimore, e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë

Aktuale

Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës, krahas politikave zhvillimore, e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë

Më: 21 mars 2023 Në ora: 12:00
Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në konferencën e Dytë Nacionale për Shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale në Kosovë, me temën “Profesionistët e punës sociale në sistemin e mbrojtjes sociale”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu falënderim e mirënjohje për kontributin e pamohueshëm të punonjësve socialë duke thënë se realizimi i të drejtave sociale të qytetarëve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të mbrojtjes sociale, kërkon angazhim aktiv të punonjësve socialë.

Punonjësit socialë, me angazhimin e tyre të përditshëm mbështesin qytetarët në ballafaqimin me problemet sociale dhe në tejkalimin e tyre. Njëkohësisht i shërbejnë edhe vendit për të përparuar në aspektin social”, u shpreh ai.

Teksa përmendi vëmendjen jo të duhur ndaj Qendrave për Punë Sociale në të kaluarën, kryeministri tha se janë 38 qendra për Punë Sociale anë e mbanë Kosovës në të gjitha komunat e saj dhe ato ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët.

Në kuadër të Agjendës Legjislative kryeministri veçoi projektligjin për shërbimet sociale, që parasheh reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale. Për këtë, shtoi ai, është bashkëbiseduar me shumë nga të pranishmit e sotëm në takimin e muajit të kaluar në Kryeministri. “E Grupi punues tashmë po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale”, deklaroi kryeministri.

Njëkohësisht, kryeministri Kurti tha se bashkë po synojmë fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteve, obligimin për profilizimin e stafit në përputhje me nevojat e qytetarëve.

Qeveria e Kosovës, krahas politikave zhvillimore, e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë, me programe adekuate dhe sidomos të qëndrueshme e afatgjate.

Programi qeveritar përqendrohet në drejtësi sociale, në ndryshimin e parakushteve për transformimin e shoqërisë. Kryeministri tha se këtë qëllim do ta arrijmë vetëm nëse e arrijmë për të gjithë, pa privilegjuar ndokënd që bëhet diskriminim për të tjerët.

Ai po ashtu rikujtoi që para katër ditëve është ekzekutuar mbështetja për punëdhënësit të cilët i kanë rritur pagat e 16,996 punëtorëve në sektorin privat, masë të cilën kemi subvencionuar 50% të rritjes së pagës për 3 muajt e parë. Kjo shënon kompletimin e të gjitha masave të Pakos për Përballje me Inflacionin.

Pakoja për Ringjallje Ekonomike dhe ajo për Përballje me Inflacionin që ka zbatuar qeveria jonë, kanë qenë gjithëpërfshirëse dhe kanë ndihmuar familjet me buxhet të rënduar. Mbi 688 mijë qytetarë janë mbështetur nga shteti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

I nderuari Shef i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog,

I nderuari Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasador Michael Davenport,

E nderuara kordinatore për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara, znj. Arnhild Spence,

E nderuara Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman,

I nderuari z. Blerim Shabani, kryetar i Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale, pra Asociacionit të Qendrave jo të Komunave që mund të mendojë najkush,

I nderuari profesor Avdyl Gashi, shef i Departamentit për Punë Sociale në Fakultetin Filofozik të Universitetit të Prishtinës,

E nderuara prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të studentëve znj. Njomza Mullaku,

I nderuari Drejtor i Handikos-it, Z Afrim Maliqi,

Të nderuar mysafirë që na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj sot këtu,

Liridon Latifi, Qendra për Punë Sociale në Preshevë,

Anisa Subashi, qendra për punë Sociale në Tiranë,

Liridon Baftiu Qendra për Punë Sociale, Shkup,

Ervin Muço, Bashkia e Elbasanit, Drejtor,

Dhe Alma Tandili, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës,

Të nderuar përfaqësues të komunave të Republikës dhe organizatave të shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjes dhe mirë se po takohemi në konferencën nacionale në shënim të Ditës Botërore të Punës Sociale. Në qendër të konferencës do të jenë punonjësit socialë në sistemin e mbrojtjes sociale në Kosovë.

Realizimi i të drejtave sociale të qytetarëve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të mbrojtjes sociale, kërkon angazhim aktiv të punonjësve socialë. Punonjësit socialë, me angazhimin e tyre të përditshëm mbështesin qytetarët në ballafaqimin me problemet sociale dhe në tejkalimin e tyre. Njëkohësisht i shërbejnë edhe vendit për të përparuar në aspektin social. Andaj u shpreh falënderim dhe mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin tuaj të pamohueshëm.

Ndonëse janë 38 Qendra për Punë Sociale anë e mbanë Kosovës në të gjitha komunat e saj dhe ato ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët, në të kaluarën nuk u është dhënë vëmendja e duhur atyre.

Në kuadër të Agjendës Legjislative e kemi projektligjin për shërbimet sociale, që parasheh reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale. Për këtë kemi bashkëbiseduar me shumë nga ju në takimin e muajit të kaluar në Kryeministri. E Grupi punues tashmë po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale.

Bashkë po synojmë fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteve, obligimin për profilizimin e stafit në përputhje me nevojat e qytetarëve. E Qeveria jonë, krahas politikave zhvillimore, e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë, me programe adekuate dhe sidomos të qëndrueshme, pra afatgjate. Jo vetëm tejkalim të problemit por edhe mospërsëritje të tij.

Nga fillimi i këtij mandati kemi ndërmarrë një sërë masash, që ndihmojnë drejtpërdrejt grupet e cenueshme të shoqërisë, duke filluar nga rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve dhe fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë.

Para katër ditëve është ekzekutuar mbështetja për punëdhënësit të cilët i kanë rritur pagat e 16,996 punëtorëve në sektorin privat, masë të cilën kemi subvencionuar 50% të rritjes së pagës për 3 muajt e parë. Me këtë masë është shënuar kompletimi i të gjitha masave të Pakos për Përballje me Inflacionin. Pakoja për Ringjallje Ekonomike dhe ajo për Përballje me Inflacionin që ka zbatuar qeveria jonë, kanë qenë gjithëpërfshirëse dhe kanë ndihmuar familjet me buxhet të rënduar. Mbi 688 mijë qytetarë janë mbështetur nga shteti. Gjithashtu u kemi dalë në ndihmë qytetarëve me pagesën për subvencionim të energjisë elektrike për rreth 175 mijë familje vetëm në muajin janar të këtij viti.

Tashmë janë mbi 330 mijë fëmijë që marrin shtesa çdo muaj, e rreth 90 mijë gra që për herë të parë si rezultat i politikave qeverisëse kanë hapur llogari bankare për shtesat për lehona dhe fëmijë. Kemi ndarë edhe 1.2 milion euro për 19 kuzhina popullore për kategorinë e qytetarëve që kanë më së shumti nevojë.

Nuk mund të ketë barazi shoqërore kur një pjesë e shoqërisë nuk trajtohet ashtu. Për ne barazia nuk kufizohet vetëm në mundësitë e barabarta e të njëtrajtshme. Mirëpo, ajo arrihet kur mbështetja e ofruar ka parasysh edhe nevojat dhe rrethanat e ndryshme për të pasur një rezultat të barabartë e të drejtë. Sepse drejtësia nuk është vetëm në verdiktet në gjykatore por edhe fillimisht në shoqëri. Duhet të kemi drejtësi në shoqëri në mënyrë që të kemi nevojë për sa më pak ndarje të drejtësisë nëpër gjykata. Pra, barazi edhe përmes solidaritetit dhe ndërgjegjësimit.

Duhet të angazhohemi që njerëzit të vetëdijesohen për masat që ekzistojnë në institucionet tona, në qendrat për punë sociale. Të shtojmë angazhimin për edukim kulturor, njerëzor, humanistë e barazimtarë.

Programi ynë qeveritar përqendrohet në drejtësi sociale, në ndryshimin e parakushteve për transformimin e shoqërisë. Dhe këtë qëllim do ta arrijmë vetëm nëse e arrijmë për të gjithë, pa privilegjuar ndokënd që bëhet diskriminim për të tjerët. Pa lënë askënd prapa, e duke ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë.

Atë që e kemi për obligim profesional dhe moral, është që të bëjmë përpjekje maksimale në kuadër të institucioneve tona, të bashkëpunojmë me institucionet relevante, që të koordinojmë përpjekjet e veprimet tona për të arritura sa më të mëdha. Bashkëpunimi në temat e rëndësisë së këtillë është esencial. Me përgjegjësi të plotë profesionale, duke respektuar dinjitetin dhe vlerën e të gjithë njerëzve në punën tuaj e për zvogëlimin e pabarazive si dhe rritjen e drejtësisë sociale.

Ju faleminderit shumë dhe ju dëshiroj diskutime të frytshme në konferencën e sotme e punë të mbarë në angazhimet e detyrat tuaja.

Ju faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat