Konjufca thotë se Kosova i kishte vetëm dy rrugë në negociata

Aktuale

Konjufca thotë se Kosova i kishte vetëm dy rrugë në negociata

Më: 22 mars 2023 Në ora: 21:08
Glauk Konjufca

Kosova mund të ndiqte dy rrugë në negociatat me Serbinë, thotë Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në një transmetim special të emisionit ResPublika, Konjufca tha se Kosova mund të vendoste që të refuzonte çdo gjë në negociata dhe të konfrontohej me SHBA-në e BE-në apo të ndiqte rrugën e përmirësimit për aq sa krijohej mundësia, të marrëveshjeve paraprake nga viti 2013 e këndej.

“Me këtë marrëveshje do të krijohet një mekanizëm i vet-menaxhimit të interesave të serbëve”, thotë Konjufca. Për të arritur deri te ky qëllim ai thotë se Kosova është dashtë të manovrojë për aq sa kishte hapësirë.

“Hapësira nuk është bash e favorshme për neve dhe nuk është e favorshme për ata që e kanë votuar marrëveshjen e vitit 2013, e cila na ka mbet neve si Kosovë”, nënvizon ai.

“Tash janë dy alternativa. Kosova është para dy rrugëve, ose të ndjek një rrugë ku do të mohojë gjithçka, thua krejt çka u arrit dhe të vijmë në pikën zero, duke trumbetuar se unë jam i forti e që nuk e pyet as Amerikën e as Evropën”, thekson Konjufca.

Kurse rruga e dytë, sipas tij, ishte që në dialog të tentohej të përmirësohej krejt ajo çka është arritur deri më tani nga qeveritë e kaluara.

Kjo rruga tjetër është me mujt me përmirësu, me mujt me përmirësu pa mohu apsolutisht, pa u bë mohues absolutist dhe se ne i kemi matur këto dy rrugë dhe nuk është se ne nuk kemi menduar gjatë për të dyja”, thotë ai.

Rruga e parë, thekson kryekuvendari Konjufca, është rruga e shteteve shumë të fuqishme të botës, që dalin prej marrëveshjeve apo lidhin marrëveshje ashtu si duan ato, fuqi këtë që Kosova nuk e posedon.

Duke pas si mundësi rrugën “A” dhe atë “B”, Konjufca i jep përparësi rrugës “B”.

“Ma racionale është kjo rruga “B”, pra që të manovrojmë për me mbrojt interesin e Kosovës maksimalisht, duke mos i mohu të gjitha, duke mos e bërë restart kompjuterin prej zeros… sepse ashtu qysh janë parashikimet tona, do të hynim në një konflikt shumë të madh me faktor të rëndësishëm ndërkombëtarë, me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian e kështu me radhë”, deklaron Konjufca.

Ai flet edhe për atë se mbi cilat korniza mund të manovrojë Kosova tani kur ka edhe një marrëveshje dhe aneks zbatimi.

“Pika e parë është marrëveshja e 2013-s, ajo konsiderohet e ligjshme prej bashkësisë ndërkombëtare dhe ajo na thonë që është obligative. tash Kuvendi nuk e ka rrëzuar, ajo është aty, bashkësia ndërkombëtare thotë është obligative. Pika 2, hapi i dytë që është bërë për me sekuencu këtë edhe për me ia dhanë bile edhe një aspekt konkret asociacionit ka qenë marrëveshja e vitit 2015”, thotë Konjufca.

Por, në këtë pikë, ai e lavdëron ish-presidenten Atifete Jahijaga, e cila e kishte dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

“Bravo i qoftë Jahjagës për këtë veprim, e ka pas qu në Gjykatë Kushtetuese edhe pse ndoshta aranzhmanet nuk kanë qenë që ajo me dergu në Kushtetuese, por ajo e ka vlerësu si gardiane e kushtetutshmërisë”, thekson ai, duke besuar se me këtë veprim, Kushtetuesja edhe e ka rrëzuar marrëveshjen e vitit 2015.

Marrëveshja e vitit 2013, sipas tij, i ka vetëm disa parime të përgjithshme, për të cilat thekson se nuk është pajtuar as kur është arritur dhe nuk pajtohet as sot se është në të mirën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat