Bajgora tregon disa nga dobitë e muajit të Ramazanit

Aktuale

Bajgora tregon disa nga dobitë e muajit të Ramazanit

Më: 23 mars 2023 Në ora: 21:23
Sadri Bajgora

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sadri Bajgora ka treguar disa nga dobitë që mund të përfitohen nga agjërimi i Ramazanit.

Ai tha se muaji i Ramazanit është një muaj që sjell begati dhe mirësi shumëdimensionale, e ndër të mirat që i sjell janë në aspektin shpirtëror dhe atë shëndetësor.

“Aspekti shpirtëror është një dimension i cili është vështirë të perceptohet në mendjen tonë, sepse të futesh në këtë botë shpirtërore në të cilën të fut Ramazani, është një botë krejtësisht e paimagjinueshme për njerëz të cilët nuk e kanë përjetuar agjërimin e muajit të Ramazanit. Në këtë muaj të bekuar nuk agjërojmë vetëm, nuk abstenojmë nga ushqimi, por faktikisht në këtë muaj ne e ushqejmë shpirtin në radhë të parë…prandaj devotshmëria në këtë muaj është ajo që kërkohet prej besimtarëve dhe secili prej nesh duhet të bëj kalkulimet e tij se çfarë synon deri në fund të këtij muaji”, deklaroi Bajgora.

Tutje, ai theksoi se deri në fund të këtij muaji, secili “duhet të shënojë pastrimin fizik, pastrimin shpirtëror, ngritjen shpirtërore që e synon në fakt edhe vetë agjërimi i Ramazanit“.

“Kur të nisemi nga aspekti shëndetësor dhe fizik, çka të themi, të themi vetëm një fjalë që i dërguari i Allahut e ka thënë, që është një moto e jona, kur thotë agjëroni që të jeni të shëndetshëm. Dhe kjo mjafton që gjithë shkencëtarët dhe nutricistët e botës, t’i japin vlerë dhe dimension meritor agjërimit në ruajtjen e shëndetit”, shtoi ai.

Besimtarët myslimanë në mbarë botën kanë nisur sot shënimin e Muajit të Ramazanit.

Pas përfundimit të Ramazanit, besimtarët festojnë Fitër Bajramin, një prej dy festave më të mëdha të besimit islam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat