Kujtim Shala për dakordimin Kurti – Vuçiq: Tradhti e pastër

Aktuale

Kujtim Shala për dakordimin Kurti – Vuçiq: Tradhti e pastër

Më: 23 mars 2023 Në ora: 22:02
Kujtim Shala

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, e ka akuzuar për tradhti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, Shala ka thënë se do të ketë ristrukturim të të drejtave që kanë serbët e Kosovës dhe sipas tij, një ristrukturim i tillë ku do të formohet një pushtet që Kosova aktualisht nuk e ka, e shkatërron karakterin unitar të shtetit.

“Nuk kemi të bëjmë me parimet e Këshillit të Evropës për minoritetet sepse nuk do të flasim për të drejta shtesë, s’ka të bëjë me të drejta shtesë, do të ketë një ristrukturim të të drejtave që kanë serbët e Kosovës sepse për ta po flasim. Ato të drejta lidhen me një nga pushtetet në Kosovë dhe ai është pushteti lokal. Pushteti lokal do të ristrukturohet, meqë do të ristrukturohet nuk ka asnjë rëndësi a shtojmë apo heqim kompetenca. Kjo i bie që do të krijohet një mekanizëm apo një pushtet të cilin Kosova sot nuk e ka dhe që Kushtetuta jonë nuk e lejon. Kjo në thelb është ndërkushtetuese. Një strukturim i tillë i pushtetit pa asnjë të drejtë shtesë, e shkatërron karakterin unitar të këtij shteti dhe ata që do të arrijnë kur kjo marrëveshje të përmbushet, përmbyllet në tërësi, do ta kuptojnë në qartësi se ky shtet që kemi sot në fund të saj nuk do të jetë kështu as përafërsisht”, ka thënë ai.

Ai e ka përmendur edhe preambulën e marrëveshjes bazë, të publikuar më 27 shkurt, ku përmendet statusi i vendit.

“Kjo regjionalizon dhe federalizon si finale, sidomos kur kemi përpara aktin e madh të negociatave për njohjen me Serbinë, që nuk është afër dhe do të negociojmë pafund deri në atë ditë, sepse kështu e cakton neni 6, i cili e zhbën tërësisht edhe nenin 2. Nëse duhet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, një marrëveshje e re, çfarë kuptimi kanë këto përveç se të zgjidhin krizat. Kanë kuptim vetëm si barrë e Kosovës. Njëkohësisht atë nen e zhbën preambula, kjo është jashtëzakonisht e çuditshme. Si mund të thuhet në një akt të tillë që Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nuk e paragjykon statusin e vet, kjo i bie sikurse nuk e njeh veten. Në kuptimin konstitucional kjo të afron me rregullimin juridik të Serbisë dhe në kuptimin konstitucional kjo është një tradhti e pastër. Këtë mbajeni mend”, ka shtuar ai.

Sipas Shalës, kjo marrëveshje për të cilën janë dakorduar palët më 18 mars, do t’i bëjë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese.

“Kjo marrëveshje do t’i bëjë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese, nëse jo me përmbajtjen e saj, me faktin që kjo marrëveshje është integruar në kushtet që ka Kosova në procesin e anëtarësimit në BE”, është shprehur ai.

Nënkryetari i LDK-së më tej ka përmendur edhe çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, për të cilin thotë se është i zgjidhur.

“Duhet të merrni aneksin 5 të Pakos së presidentit Ahtisaari, duhet të merrni Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila sikur askund të botë e lidhë trashëgimin kulturore me trashëgiminë fetare pikërisht për shkak të Kishës Ortodokse Serbe, Ligjin për liritë fetare dhe Ligjin për zonat e mbrojtura dhe mekanizmin që merret me të – Komisionin për zbatim dhe monitorim. Juridikisht çështja e statusit të Kishës Ortodokse Serbe është i zgjidhur. Nëse ne e rihapim, do të flasim për një gjë tjetër”, ka theksuar ai.

Në zhvillimin e kësaj seance gjatë ditës, Shala është dëgjuar duke përdorur sharje ndaj Kurtit.

Pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sipas pamjeve, deputeti Shala u dëgjua pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mori fjalën. Shala e Abdixhiku ulen afër njeri-tjetrit në sallën e Kuvendit.

“Phu, t’q**** tradhtarin e nanës”, dëgjohet duke thënë Shala për Kurtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat