USAID-i dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim arrijnë ujdi për bashkëfinancim

Aktuale

USAID-i dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim arrijnë ujdi për bashkëfinancim

Më: 24 mars 2023 Në ora: 11:57
Foto ilustrim

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) nënshkruan një marrëveshje bashkëfinancimi për të mbështetur më tej gjithpërfshirjen dhe angazhimin politik të grave në nivel komunal.

Në komunikatë thuhet se përmes kësaj marrëveshjeje, qeveria zvicerane do t’i kontribuojë me 5 milionë dollarë amerikan aktivitetit aktual të USAID-it Përfaqësimi Gjithpërfshirës dhe Llogaridhënës, të vlefshëm 10 milionë dollarë, i cili zbatohet nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).

“USAID-i po udhëheq, në nivel global, përpjekjet për të identifikuar dhe ndjekur mënyra të guximshme dhe inovatore të ndihmës në adresimin e sfidave dhe pengesave ndaj pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje dhe procese politike. Përmes këtij partneriteti me SDC-në në Kosovë, USAID-i do të punojë veçanërisht në avancimin e shkathtësive dhe ndërtimin e kapaciteteve të grave aktive në politikë dhe atyre që janë të interesuara t’i bashkëngjiten skenës politike qoftë si anëtare të partive politike, kandidate apo përfaqësuese të zgjedhura”, thuhet në njoftimin e USAID-it.

Në njoftim thuhet se aktiviteti Përfaqësimi Gjithpërfshirës dhe Llogaridhënës i USAID-it në Kosovë është një partneritet pesëvjeçar i cili do të avancojë më tej përgjegjshmërinë legjislative dhe politike duke punuar rreth tri shtyllave kryesore – ndikimit individual, reformave strukturore dhe ndryshimeve shoqërore – për t’i pozicionuar gratë në mënyrë më efektive që ato të mund të garojnë politikisht me burrat nën kushte të barabarta.

“Që nga viti 1999, USAID ka investuar në emër të popullit amerikan mbi 1 miliard dollarë amerikan në rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës”, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat