Alarmon Abdixhiku: Trusti po humb nga gjysmë milioni çdo ditë, Qeveria në gjumë

Aktuale

Alarmon Abdixhiku: Trusti po humb nga gjysmë milioni çdo ditë, Qeveria në gjumë

Më: 24 mars 2023 Në ora: 12:09
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka alarmuar se si Trusti është duke humbur nga gjysmë milion euro në ditë ndërkohë që Qeveria ende s’ka marrë ndonjë veprim për të caktuar Bordin drejtues të kompanisë për kursimet pensionale.

Abdixhiku thotë se që nga muaji janar e deri më sot për 36 milionë euro ka ndodhur zhvlerësim i fondeve.

Kreu i LDK-së thotë se pavarësisht kësaj humbjeje “popullistët po e vazhdojnë rehatinë” dhe “gjumin”.

“Përderisa kursimet pensionale, të fituara me shumë mund, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, popullistët vazhdojnë rehatinë.

Plot 36 milion euro është zhvlerësimi i fondeve nga janari deri më sot. Qeveria nuk gjenë as brengën e as kohën të caktojë një Bord”, ka shkruar Abdixhiku.

Kujtojmë se Trusti Pensional i Kosovës vazhdon të mbetet pa bord drejtues. Siç ishte bërë e situr për media si rrjedhojë e luhatjes së tregjeve globale, Trusti, nga janari deri në dhjetor të vitit 2022, ka humbur mbi 118 milionë euro.

Në mungesë të bordit, partitë opozitare kanë deklaruar se paratë e kontribuuesve kosovarë janë të rrezikuara, ndërsa nga pozita kanë thënë se Ligji për kursimet pensionale e parasheh që në rastet kur nuk zgjidhet bordi i ri, atij ekzistues i vazhdohet mandati për 90 ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat