BE: Kosova dhe Serbia mund ta rrezikojnë reputacionin e tyre ndërkombëtar

Aktuale

BE: Kosova dhe Serbia mund ta rrezikojnë reputacionin e tyre ndërkombëtar

Më: 24 mars 2023 Në ora: 17:12
Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova dhe Serbia mund ta rrezikojnë reputacionin e tyre ndërkombëtar, në rast se nuk fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes nga takimi i Ohrit.

I pyetur për shkeljen e marrëveshjes nga Serbia, Stano potencoi se besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik, prandaj sipas tij në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar.

“Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar. Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”. Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, thuhet në përgjigjen e Stano.

Njëherit, Stano ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim, Institucionet e BE-së, do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me të dyja palët.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian Udhëheqësit e të 27 shteteve anëtare ) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: “Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre.” Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”, ka shkruar tutje Stano.

E lidhur me bisedimet e Ohrit, përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka informuar edhe liderët evropianë, derisa ka theksuar që Kosova dhe Serbia tanimë duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat