Çejku-Buçinca: Nuk mund t’i përshkruaj siç do të doja emocionet për dhënien e lajmit për fillimin e bombardimeve të NATO-s

Aktuale

Çejku-Buçinca: Nuk mund t’i përshkruaj siç do të doja emocionet për dhënien e lajmit për fillimin e bombardimeve të NATO-s

Më: 25 mars 2023 Në ora: 07:21
Besa Çejku Buçinca

Besa Çejku Buçinca ishte prezantuesja e lajmeve në televizionin publik shqiptar që më 24 mars 1999 dha lajmin për fillimin e sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake e policore të Serbisë.

24 vjet më vonë, Besa Çejku Buçinca rrëfeu se si erdhi deri te dhënia e këtij lajmi, të cilin ajo e quan të papëritshëm.

Ajo tregoi se në ekip me të në atë edicion të lajmeve ishte Asllan Bajrami si rekator, Esat Brajshori si regjisor dhe Driton Ymeri në teknikë. Ajo tha se që nga 18 marsi 1999, ditë kjo kur Serbia nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë kishin informacione se brenda 6-7 ditësh do të ndodhte sulmi kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe.

Çejku Buçinca tha se edicioni i lajmeve fillonte në ora 18:30 por se për shkak të zhvillimeve vazhdimisht e zgjasnin edicionin më shumë se gjysmë ore dhe se atë ditë e kishin zgjatur deri në ora 20:00.

“Atë edicion e zgjatëm deri kah ora 20:00 dhe unë përfundova edicionin e lajmeve, pasi menduam se më vonë do të ndodhi ajo. Pasi u dha ajo sigla përmbyllëse e edicionit të lajmeve, në kohën që shkonte sigla Asllani e sheh në CNN që fillojnë sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe dhe i thotë regjisorit Esat Brajshori thuaj Besës ta jep njoftimin që filluan bombardimet e NATO-s. Unë disi u përmblodha sepse nuk ishte lehtë, emocionet më kapluan. Nuk ishte e lehtë të jepej një lajm të jashtëzakonshëm, të papërsëritshëm dhe që të jepet ndoshta një herë në jetë ajo mundësi”, u shpreh Çejku Buçinca.

Ajo tha se gjatë kohës sa jepte lajmin, para syve i dilnin pamje nga ngjarjet historike të popullit shqiptar.  Madje, ajo thotë se nuk mund t’i përshkaruaj emocionet e atij momenti siç do të donte.

“Nga të gjitha ato emocione, derisa e kam dhënë njoftimin brenda atyre 20-30 sekondash, unë i kam parë të gjitha pamjet dhe ngjarjet historike të rrugëtimit të shqiptarëve në rrugën e lirisë. Do me thënë si në një lloj shiriti filmik më kanë dal ato pamje, e gjithë ajo rezistencë e gjithë ajo qëndresë që është kurorëzuar deri të lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jashari që është një rast shumë unikal. Qendresa e familjes Jashari është një rast unikal në historinë e luftërave çlirimtare. Kështu që nuk mund t’i përshkruaj emocionet ashtu siç do të doja e atij momenti kur e kam dhënë lajmin. Pastaj pasi shkoi lajmi, mu desh një kohë derisa ta merrja vetën. A thua ishte e vërtetë apo s’ishte e vërtetë… Ishte tepër e mirë saqë ishte gati e pabesueshme”, shtoi Çejku Buçinca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat