Përfundon takimi Rama-Kurti, biseduan për marrëveshjen e Ohrit - Deklarohet kryeministri i Shqipërisë

Aktuale

Përfundon takimi Rama-Kurti, biseduan për marrëveshjen e Ohrit - Deklarohet kryeministri i Shqipërisë

Më: 26 mars 2023 Në ora: 06:56 Përditësuar në ora: 14:38 më 26.03.2023
Edi Rama dhe Albin Kurti

“Mbledhje e përbashkët e dy qeverive në qershor”/ Rama pas drekës me Kurtin: E inkurajova në hapat e radhës për normalizimit e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka treguar se në drekën me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka diskutuar për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.

Rama shkruan se mbështet Kurtit në hapat që do të marrë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa njofton se në muajin qershor do të ketë sërish një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.

Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor”.

Përfundon takimi Rama-Kurti, biseduan për marrëveshjen e Ohrit

Ka përfunduar takimi në mes të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të Kosovës, Albin Kurti.

Temë e diskutimit në takimin mes dy liderëve ka qenë marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë në Ohër. Më herët, Kurti u takua me presidentin Bajram Begaj dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Në fokus të këtyre takimeve ka qenë marrëveshja me Serbinë. Ndërkohë që më herët, Abc News raportoi se Kurti pritet të takohet edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në një prononcim të shkurtër, Kurti tha se do të flasë për mediat pasi të përfundojë takimet e planifikuara.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin.

Kurti në Tiranë: Të vendosur për zbatimin e Planit evropian, në bashkëpunim me BE dhe SHBA

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Nikolla, siç u bë e ditur, e përgëzoi Kurti për punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE dhe ShBA për të ardhmen evro-atlantike të Kosovës. 

“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën evro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare. Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, u shpreh Nikolla.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti falënderoi kryeparlamentaren Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh, si Kryetare.

Kurti vuri në dukje progresin e dukshëm në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe nënvizoi se ekonomia, demokracia dhe integrimi po ecin në mënyrë komplementare, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave. 

Po ashtu, Kurti theksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE dhe SHBA.

Begaj përshëndet maturinë e Kurtit, shpreh mbështetjen për marrëveshjen e Ohrit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, Presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis  Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

E përfundon takimin me Begajn, Kurti në këmbë drejt Kuvendit Shqiptar - takohet me Lindita Nikollën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur vizitën e tij në Tiranë ditën e sotme. Ai është pritur fillimisht në Presidencë nga kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj.

Pas takimit që zgjati rreth 30 minuta, Kurti iu drejtua Kryesisë së Kuvendit në këmbë ku u prit nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Në fund, pritet që ai të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Të dy do të zhvillojnë një drekë pune në vilën qeveritare 30 në kryeqytet. Vizita e Kurtit në Tiranë vjen pas takimit të Ohrit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 18 mars.

Kryeministri Kurti mbërrin në Presidencë, pritet nga Begaj

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare me krerët e vendit.

Kurti ka mbërritur rreth orës 11:00 në ambientet e Presidencës për tu takuar me presidentin Bajram Begaj.

Në vijim të agjendës Kurti pritet të vizitojë Kuvendin ku do të takohet me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Rreth orës 13:00 pritet të takojë kryeministrin Rama, ndërsa krerët e opozitës pritet ti takojë pas orës 15:00.

Kurti takohet sot në Tiranë me Ramën, zbulohet tema e diskutimit midis dy kryeministrave shqiptarë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot në ora 08:00 do të bëjë homazhe në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe.

Pas homazheve, Kurti do të shkojë për vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë kësaj vizite, Kurti do të zhvillojë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Me këtë të fundit, Kurti pritet të takohet në Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga ora 11:30.

Sipas informacioneve, në takimin Rama-Kurti, në fokus do të jetë marrëveshja e pafirmosur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e  të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.

Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat