“Ende e quaj vend armik”, vjen paralajmërimi nga Bytyçi: Me Serbinë duhet maturi dhe jo nxitim

Aktuale

“Ende e quaj vend armik”, vjen paralajmërimi nga Bytyçi: Me Serbinë duhet maturi dhe jo nxitim

Më: 26 mars 2023 Në ora: 17:27
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

“Një stacion nga i cili KE ka marrë spunto që të pasurojë agjendën e integrimit të Kosovës dhe Serbisë me kushte specifike për secilin vend.” Kështu e përshkroi historiani Enver Bytyçi takimin e mbajtur në Ohër mes dy palëve dhe ndërmjetësuesve europianë e amerikanë.

I ftuar në  “Debat” në A2 CNN, Bytyçi u shpreh se duhet marrë parasysh edhe konteksti në të cilin ndodhen ngjarjet, duke marrë parasysh luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ndikim e saj në rajon.

“Kemi një dokument me dy pjesë, marrëveshja dhe aneksi. Ky i fundit u shqyrtua në Ohër. Një dokument që është pranuar në pikëpamje verbale. Mund t’i shërbejë Bashkimit Europian që ta miratojë si kusht themelor për ecurinë e integrimeve në BE të dy vendeve. Implementimi i së cilës do të vihet në agjendën e integrimit të dy vendeve. Këtë mund ta bënte BE edhe pa dakordësinë e dy palëve. Por shqetësimi kryesor i amerikanëve dhe europianë, është evitimi i hapjes së një fronti të dytë rus në rajon.”

Megjithatë, analisti theksoi se Serbia nuk do të ngutet që t’i zbatojë pikat e marrëveshjes apo aneksit. Sipas tij, ajo mund t’i marrë në konsideratë vetëm kur të evidentojë se i është hapur dera për t’u integruar në BE.

Për të ftuarit në “Debat”, mbrëmjen e së hënës, koha e shkurtër në dispozicion për implementimin e marrëveshjes dhe aneksit mund t’i vërë palët në trysni, dhe sipas tyre, ngutja është në disfavor të atij që merr vendimin, pra Kosovës.

Kosova do të nisë menjëherë negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Por çfarë nënkupton vetëmenaxhimi në këtë rast?

“Vetëmenaxhimi ka të bëjë me administrimin lokal të disa çështjeve të një komuniteti të caktuar, çështja që lidhen me kulturën, gjuhën, ekonominë por nuk shkojnë deri te çështje të sigurisë, të mbrojtjes të politikës së jashtme…Vetëmenaxhimi rregullohet me ligjet ekzistuese të shtetit të Kosovës. Për të krijuar një mënyrë vetëmenaxhimi të një komuniteti të caktuar,” shpjegon Enver Bytyçi.

Megjithatë, Bytyçi thekson se me Serbinë duhet bërë kujdes dhe maturi dhe jo nxitim.

“Përballë Kosovës është një vend që unë ende e quaj armik,” shtoi ai.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan mbrëmjen e së shtunës pas më shumë 12 orë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Nuk pati një firmosje të dokumentit nga palët edhe këtë herë, por, siç tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ata janë zotuar të respektojnë të gjitha pikat e planit evropian për të cilin janë dakordësuar që më 27 shkurt në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat