Haradinaj kujton masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica

Aktuale

Haradinaj kujton masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica

Më: 28 mars 2023 Në ora: 09:55
Ramush Haradinaj

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar këtë masakër ku tha që atë ditë armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6 muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi. 

“24 vjet më parë, ngjau një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6 muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi. 

Masakra e Izbicës e shumë të tjera që fatkeqësisht kanë ndodhur në tokën tonë, janë një dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica. 

Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë sonë. 

Lavdi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat