Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, “mund të shkelet parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm”

Aktuale

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, “mund të shkelet parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm”

Më: 1 prill 2023 Në ora: 12:21
Hashim Thaçi dhe të tjerët në Hagë

Proces i gjatë gjyqësor pritet nga e hëna në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Avokatë e monitorues të këtij procesi konsiderojnë se bazuar në numrin e madh të dëshmive, të cilat synon t’i paraqesë prokuroria, ekzistojnë shqetësime se do të shkelet parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. Të njëjtit theksojnë se është e nevojshme që trupi gjykues të eliminojë disa prova.

Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini, thotë se kërkojnë që për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin të ketë proces të drejtë dhe efikas.

Qerkini: Ekzistojnë shqetësime serioze që të shkelet parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm

“Pres që krerët e UÇK-së të kenë një proces të drejtë edhe të paanshëm dhe brenda një afati të arsyeshëm. Marrë parasysh propozimet e prokurorisë, ekzistojnë shqetësime serioze që mund të shkelet parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Mirëpo, meqë tashmë do të fillojë procesi gjyqësor, besoj që trupi gjykues e ka diskrecionin që të zvogëlojë vëllimin e provave në mënyrë që të zbatohet edhe praktikisht parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. Besoj në pafajësinë e krerëve të UÇK-së edhe besoj se edhe një herë do të vërtetohet një gjë e tillë”, deklaroi Qerkini.

Monitoruesi i këtij procesi gjyqësor nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Aliaj tha se pas më shumë se dy vitesh prej procedurës paraprake nga e hëna do të dëgjohen fjalët hyrëse në procedurën kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Ai shtoi se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi prej një kohe të gjatë janë në paraburgim prandaj presin një proces efikas.

Aliaj: Gjykata duhet të kujdeset që procesi gjyqësor të shkon brenda afateve

“Të hënën fillon prokuroria me fjalën hyrëse dhe pastaj vazhdojnë edhe palët tjera në procedurë. Procedura apo kohëzgjatja e procedurës është një çështje që vazhdimisht diskutohet në këtë proces për shkak se prokuroria ka paralajmëruar se dëshiron t’i merr në pyetje një numër shumë të madh të dëshmitarëve. Në anën tjetër, sigurisht që edhe palët e tjera do të kenë dëshmitarët të cilët dëshirojnë t’i propozojnë dhe t’i marrin në pyetje. Kemi dëgjuar vite të ndryshme të zgjatjes së procedurës në shkallën e parë. Normalisht që gjykata dhe trupi gjykues duhet të kujdeset që procesi gjyqësor të shkon brenda afateve të parashikuara me Konventat e Evropës, që procesi gjyqësor të mos zvarritet. Duke pasur parasysh që të pandehurit gjenden në masën e paraburgimit që një kohë të gjatë dhe ata kanë të drejtë për një proces efikas dhe të drejtë”, potencon Aliaj.

Aliaj tha se monitoruesit dhe gazetarët nuk do të mund t’u qasen informatave të plota në këtë proces për shkak të redaktimeve të shumta.

Aliaj: Monitoruesit e kanë të vështirë të krijojnë një opinion se ka pasur prova të mjaftueshme për një vendim

“Një monitorues objektiv e ka të vështirë të krijojë në fund një opinion të vetë nëse ka pasur prova të mjaftueshme për një vendim meritor, qoftë lirues apo dënues. Por në anën tjetër palët të cilët janë në procedurë, palët, prokuroria, përfaqësuesi i viktimës, ata kanë qasje direkt dhe nuk ka redaktime për ata brenda sistemit dhe natyrisht për gazetarët dhe monitoruesit është një problem për tu qasur informatave të plota të procesit gjyqësor”, vijon ai.

Ky proces gjyqësor, avokati Qerkini thotë se do të jetë i gjatë dhe për këtë duhet të intervenojë trupi gjykues.

Qerkini: Procesi do të jetë i gjatë, nëse trupi gjykues nuk i eliminon disa prova

Nëse trupi gjykues nuk i eliminon disa prova të panevojshme, atëherë me të vërtetë procesi do të jetë i gjatë. Mendoj se trupi gjykues duhet që të intervenojë në këtë rast sepse thjesht duhet t’i eliminojë të gjitha ato prova të cilat i stërzgjatin procesin, e në anën tjetër nuk e kanë kurrfarë vlere provuese”, shton Qerkini.

Deri më tani në paraburgim, nën pretendimin për krime lufte në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Për të katërtit, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, ka pritje se procesi do të zgjasë.

Jashari: Mendojmë që ky proces do të zgjas

“Gjithë këto akuza, gjithë ai material që mendojmë se nëse fillon si proces do të zgjas. Është politik dhe kjo gjykatë e ka argumentuar bollshëm që ka punuar me prokurorinë serbe, me shtetin serb dhe me ‘argatët e dreqit’, siç i quante simboli i rezistencës, Adem Demaçi. Unë mendoj që edhe deklarimet e disa njerëzve në institucione të Kosovës, janë tejet të gabuara sepse flasin me terminologji jo që i bëjnë nder, por i bëjnë dëm procesit, luftës së UÇK-së. Duke i cilësuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët si individë. Atje nuk është bërë kjo gjykatë, nuk është krijuar për të gjykuar individë, por kjo gjykatë është krijuar për të barazuar luftën e UÇK-së me gjithë ato që i ka bërë Serbia”, thekson ai.

Para fillimit të gjykimit, do të mbahen protesta me thirrje për drejtësi.

Do të ketë marsh në Prishtinë (më 2 prill) dhe protestë paqësore në Hagë të Holandës (më 3 prill).

Për Xhavit Jasharin nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, ish-krerët e UÇK-së do të kthehen të pafajshëm.

Jashari: Mendoj se ata do të dalin faqebardhë

“Mendoj se ata do të dalin faqebardhë, sepse lufta ka qenë e drejtë dhe e pastër, lufta e UÇK-së. Por, problemi ynë është që ende nuk kemi krijuar kulturë të përmasës ndërkombëtare që ta çmojmë dhe respektojmë vlerën e UÇK-së. Mbi këtë vlerë, mbi këtë luftë, mbi këtë sakrificë sot janë krijuar edhe institucionet”, shton ai.

Jashari u bën thirrje të gjitha partive politike që t’i bashkohen marshit për drejtësi, i cili do të mbahet nesër në sheshet e kryeqytetit.

Ish-krerët e UCK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Zyra e Prokurorisë së Specializuar pretendon se të njëjtit kanë kryer krime lufte. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedures paraprake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat