Hoti ironizon me caktimin e guvernatorit të BQK-së: Hap pas hapi drejt pozitës, urime

Aktuale

Hoti ironizon me caktimin e guvernatorit të BQK-së: Hap pas hapi drejt pozitës, urime

Më: 1 prill 2023 Në ora: 19:01
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka ironizuar me vendimin e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës që kryetari i tij, Bashkim Nurboja të emërohet ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka treguar procedurat deri te caktimi i Nurbojës  në këtë pozitë në njërin prej institucioneve kryesore financiare në vend.

Ai ka thënë se zgjedhja e zëvendësguvernatorit është bojkotuar gjatë tërë vitit 2022 dhe si rezultat, “BQK mbeti pa zëvendësguvernator, i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit”.

Procesi i zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës. Si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, ushtruesja e detyrës së zëvendësguvernatorit “duket se është shkarkuar këto ditë për t’i hapur rrugë kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e guvernatorit. Urime”.

Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bashkim Nurboja është emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së tri ditë më parë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e këtij bordi të cilën e ka udhëhequr vetë Nurboja.

Ky vendim është marrë pas skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.

Bordi i BQK-së arsyetoi vendimin me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me ligj.

Po ashtu, edhe dy anëtarët joekzekutivë të këtij bordi janë emëruar zëvendësguvernatorë.

Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë, për shkak të skadimit të mandatit, bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga kryetari i bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve”, thuhet në komunikatën e Bordit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat