Bajrami: Serbia është kthyer partner kryesor tregtar, Qeverisë i rrinë 700 milionë euro në bilanc bankar

Aktuale

Bajrami: Serbia është kthyer partner kryesor tregtar, Qeverisë i rrinë 700 milionë euro në bilanc bankar

Më: 17 prill 2023 Në ora: 09:45
Hykmete Bajrami

“Kosova nuk ka mungesë të mjeteve buxhetore, sot vendi ynë vuan sepse udhëhiqet nga njerëz përtacë dhe pa përvojë andaj edhe ju rrinë nga 700 milionë euro në bilanc bankar”, thotë ish ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bajrami potencon se Qeveria “po lavdërohet” me mos punën e saj, pasi konsideron që gjatë dy viteve të fundit nuk është përfunduar asnjë projekt kapital.

“Faktet flasin vetë; nga 704 milionë euro investime kapitale të parapara në buxhetin e vitit të kaluar janë shpenzuar vetëm 419, duke llogaritur këtu edhe 88 milionë të dhëna avanc, andaj nuk mund të flitet për kurrfarë normaliteti sepse kjo Qeveri ka dështuar t’i fusë në ekonomi rreth 285 milionë euro”, thotë ajo.

Për deputeten e LDK-së, jeta në Kosovë është shtrenjtuar dukshëm, meqë sipas saj, “qytetarët kur shkojnë në market s’mund të blejnë gjysmën e gjërave që kanë blerë para një viti”.

“Kur shkojnë në spital nuk ka as penjë dhe dorëza, nuk ka asnjë çerdhe të re, nuk ka asnjë shtëpi për të moshuarit, nuk ka vende të reja pune, nuk ka ngritje të pagës minimale”.

Bajrami po ashtu ka akuzuar qeverinë aktuale se nuk i kanë mbështetur fare prodhuesit vendorë, derisa ka theksuar se këta të fundit kanë nevojë për politika të reja fiskale dhe për mbështetje konkrete.

“Pikërisht në mungesë të mbështetjes se prodhimit vendor ne sot për herë të parë në histori kemi deficit tregtar 4.7 miliardë euro dhe Serbia është kthyer si një ndër partnerët kryesorë tregtarë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat