Përmendi “dhomën e Asociacionit”, deputetes së LDK-së i vjen reagimi i ashpër: Diçka nuk shkon me letrën e Mustafës

Aktuale

Përmendi “dhomën e Asociacionit”, deputetes së LDK-së i vjen reagimi i ashpër: Diçka nuk shkon me letrën e Mustafës

Nga: A.Zh Më: 21 maj 2023 Në ora: 08:25
Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se neni 10 i marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, tregon qartë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet.

Ajo duke folur së fundmi, ka deklaruar se po ta kishte fuqinë do ta zhbënte Asociacionin dhe do të kthehej në vitin 2013, në dhomën ku ishte nënshkruar kjo marrëveshje, për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Me mujtë me e heq Asocacionin, e kisha heq sot. Me pasë atë forcë, do ta kisha bërë. Me pas atë fuqi retroaktive, isha kthy në vitin 2013 për ta parë çfarë ka ndodhur në atë dhomë. Po me thanë që në marrëveshjen e re, ka diferencim mes nenit 7 dhe nenit 10, si dikush që e analizon spektrin legal dhe jo veç juridik, mua më duket konfuzion”, ka thënë deputetja.

Asaj për këtë deklaratë, i ka reaguar njohësi i çështjeve politike Binak Maxharraj, përcjell Bota sot.

Në një shkrim në Facebook, analisti ka thënë se në dhomën ku u nënshkrua Asociacioni, deputetja e LDK-së do të takonte edhe ish-kryetarin e partisë Isa Mustafën, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Hashim Thaçin e Ivica Daçiqin.

Ndër tjerash, Maxharraj ka shtruar një pyetje për Kica-Xhelilin, lidhur me letrën e Federica Mogherinit, për ish-kryeministrin Isa Mustafa.

Ai e ka quajtur "emigrante" ish-deputeten e listës "Guxo".

Reagimi i plotë i analistit:

Kica-Xhelili: Po të mundja do të kthehesha në vitin 2013 në dhomën ku u nënshkrua Asociacioni.

Kjo emigrantja Kica-Xhelili, e cila u shpërngul duke kërkuar azil politik në LDK, pa e rregulluar mirë statusin e përhershëm pasiqë është duke e pritur “Green kartën” e kësaj partie, paska deklaruar se: “Po të mundja, do të kthehesha në vitin 2013/2015 në dhomën ku u nënshkrua Asociacioni”.

E pamundur të kthehesh 10 vite pas, sepse do të dëshprohesh shumë kur në atë dhomë do t’i gjesh, do t’i takosh njerëzit udhëheqës nga Kosova dhe Serbia, që në harmoni të plotë, me hare e gëzime, në përqafim e sipër nënshkruan Asociacionin.

Pra, aty do ti takosh presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Isa Mustafa, me kryenegociatoren Federica Mogherini në mes duke e nënshkruar Asociacionin e vitit 2015, kur aty në këmbë janë edhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me Ivica Daçiqin, që e kanë nënshkruar Asociacionin e vitit 2013.

Me siguri nëse shkon atje, ata të gjithë do të presin që t’i shoqërohesh, me ç’rast edhe do të bëhesh pjesë e Asociacionit.

Por, Kica nëse shkon në atë dhomë, e aty e takon me siguri Federica Mogherinin, e cila po shihet në mes Mustafës e Vuçiqit, duhet ta pyesësh se çka është qajo puna e asaj letre që ia ka dërguar Isa Mustafës, ku thuhet se Asociacioni nuk duhtet të ketë kompetenca ekzekutive, kurse tani në prani të Mustafës dhe Vuçiqit po e nënshkruani Asociacionin me kompetenca ekzekutive me 23 nene anti-kushtetuese.

Diçka këtu me këtë letër nuk shkon. A është ky një mashtrim i juaji apo një rrenë e Isa Mustafës. Ku është e vërteta?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat