“Sekret shtetëror”, “S’duhet të rrish aty asnjë sekondë”, përplasje të ashpra në Kuvend - kundërpërgjigjet Hajdari

Aktuale

“Sekret shtetëror”, “S’duhet të rrish aty asnjë sekondë”, përplasje të ashpra në Kuvend - kundërpërgjigjet Hajdari

Nga: Bota sot Më: 25 maj 2023 Në ora: 08:31 Përditësuar në ora: 14:50 më 25.05.2023
Ferat Shala dhe Mimoza Kusari-Lila

​S’ka kuorum, ndërpritet seanca

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur fare në votim propozim-rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) përmes së cilës do të kërkohej shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Pas debatit për gjendjen në këtë ministri, në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin vetëm 50 deputetë, prandaj kryetari Glauk Konjufca e mbylli seancën.

“50 deputetë janë në seancë duke marrë pjesë, kështu që shihemi ndonjë ditë tjetër kur t’iu lajmëroi”, tha Konjufca.

Seanca e sotme është zhvilluar me përplasje në mes të opozitës dhe partisë në pushtet, lidhure me situatën në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

“Profesor Fuxhimori a qysh e pat emrin”, Konjufca shkakton të qeshura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkaktuar të qeshura pas fjalimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj.

Teksa diskutohej për çështjen e ekspertit që paguhej 1000 euro dita, të angazhuar nga MINT-i, deputeti Kokaj ka sjellë një përvojë se si një ekspert japonez fitoi 300 mijë dollarë për funksionalizimin e një laboratori.

“Dy diskutant të fundit i çmoj se janë njerëz që në kohën në luftën e kanë eksponu trupin para plumbit, i çmoj tejmase. Por, lidhur me komentin e vlerës se sa paguhet eksperti, po më duhet të them një – në eksperiencën time në Universitetin… mbetëm dy tre-muaj, s’dinim me laboratorin laserik dhe erdh profesor Çigjiyci nga Japonia. A m’besoni më pak se 15 minuta ka fituar 300 mijë dollarë”, ka deklaruar ai.

Lidhur me këtë, ka kërkuar kundër-replikë deputeti I PDK-së, Hajdar Beqa. Konjufca ka shfrytëzuar këtë për t’u tallur me deputetin Kokaj.

“Ni kundër-replikë a? Për qat profesor Fuxhimori a qysh e pat emrin ai?”, ka deklaruar Konjufca. 

Kastrati i PDK-së – deputetit të LVV-së: Mos ulëri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, i është drejtuar njërit prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i thënë “mos ulëri ti”.

Kjo ka ndodhur në kohën kur Kastrati ka qenë duke folur në debatin që Kuvendi po e zhvillon lidhur me rezolutën e partisë së tij me të cilën kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, por nuk është parë se cilit deputet i është drejtuar.

Ndër të tjera Kastrati ka thënë se deputetët e pushtetit po e bëjë të pamundur për të arsyetuar, siç ka thënë, hajnitë që janë bërë në Ministrinë që udhëhiqet nga Hajdari.

Hajdari-Reçicës: E kam ndal klientelën tuaj në MINT

Në seancën e sotme plenare po vazhdon debati për gjendjen në ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. E gjatë debatit, Elmi Reçica nga PDK vazhdoi të kërkojë dorëheqjen e ministres së këtj dikasteri, Rozeta Hajdari, por kjo e fundit ia ktheu deputetit të PDK-së, duke i thënë se e ka hequr klientelën e tyre në MINT.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit vazhdoi të flasë për skandalet e parashtruara edhe nga kolegët e tij për ministrinë e Industrisë.

Ai kërkoi dorëheqjen e Hajdari me qëllim që të lirohet parlamenti dhe vetë ajo.

Reçica: Jep dorëheqje e shko në shtëpi

“Jep dorëheqje, sepse po ta kujtoj një fjalë shpesh është herë është shumë e lehtë me hy dikund, mirëpo është shumë problem me dal, po më duket se ti e ke shumë problem me dal dhe me dhënë dorëheqje. Ministre, shko në shtëpi dhe liroje edhe këtë parlament edhe veten”, ishte kërkesa e Reçicës.

E pas kësaj kërkese, ministrja Rozeta Hajdari iu kthye deputetit të PDK-së duke i thënë se e ka ndalur klientelën e tyre në ministrinë që e udhëheq ajo.

Hajdari: Unë kam ndal klientelën tuaj në ministrinë e Industrisë

“Ne e kemi gjetur rezervën shtetërore të vjedhur nga qeverisja juaj në kohë krize globale kur filloi lufta në Ukrainë ne e kishim në greminë rezervën shtetërore…Unë kam ndal klientelen tuaj në ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë“, tha ajo.

Në seancën e sotme plenare, PDK paraqiti rezolutën për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë gjatë qeverisjes dyvjeçare. Përmes kësaj rezolute po kërkohet shkarkimi i ministres Hajdari. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që kjo rezolutë të tërhiqet nga PDK pasi nuk ka bazë kushtetuese.

“A është Donald Trump?”, Haxhiu pyet Hajdarin për ekspertin që i mori një mijë euro në ditë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka pyetur të enjten ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, se kush është eksperti që u pagua një mijë euro ditën nga buxheti i Kosovës.

Ai ekspert u angazhua nga ministria e Tregtisë, për çka Haxhiu u shpreh i habitur se si është e mundur që dikush të paguhet në një shifër kaq të lartë.

“Ndoshta keni premtuar ndryshim, por kësi ndryshimi s’e ka pritur kurrkush”, tha Haxhiu.

“Ministrja [Hajdari] e pohoi që e kanë paguar një ekspert një mijë euro ditën. A ka mundësi me na tregu se kush është ky ekspert dhe cfarë veti apo njohurish ka? A është Donald Trump, a është Bezos, Musk, kush është ky person që paguhet një mijë euro?”, e pyeti Haxhiu ministren Hajdari.

Nga ana tjetër, Hajdari tha se eskperti në fjalë ka sjell shumë propozime të mira në ministrinë që ajo e drejton.

Hajdari mori shembull se eksperti ka ofruar propozimin që si të krijohet fondi për inovacionin dhe transformimin digjital të industrisë kosovare.

"Si është e mundur që e bëni këtë [pyetje një mijë euro ditën, kur është hartuar një strategji kombëtare për herë të parë në Kosovë, për deri vizionin 2030, është eksperti nga Global Policies, apo inkubatori i politikave globale që ka bërë analizën e të gjithë sektorëve industrialë për të zbërthyer potencialin e sektorit privat se ku mund të zhvillohet më shumë”, u shpreh Hajdari.

“Ka sjell propozimet se si mund të rritet vlera e pasurive të brendshme natyrore njerëzore, ka sjell propozimin se si t’i certifikojmë produktet tona në nevojë për t’u eksportuar. Ka sjell propozimin se si ta krijojmë fondin për inovacion dhe transformim dixhital më të shpejtë të industrisë sonë”, tha ajo.

Hajdari mohon akuzat për Expo Dubai: Opozita po shpif

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i ka hedhur poshtë akuzat për keqmenaxhim dhe skandale në këtë ministri.

Ajo e akuzoi opozitën se vetëm e përmend termin “skandal” pa ofruar një fakt të vetëm që i dëshmon këto skandale.

“Unë do t’i përgjigjem çdo kërkese që keni dhe çdo shpifje që keni ngritur me këto të gjetura duke i marrë informatat gjysmake, të paplota, por duke krijuar shantazhe, shpifje dhe më shumë”, u ka thënë Hajdari opozitarëve të pranishëm në Kuvend.

“Ju thoni që kemi skandale të vazhdueshme. A janë dokumentuar në ndonjë raport të auditorit këto skandale të vazhdueshme sepse e kemi pasur një auditim? Përpos disa vonesave në grantet e mëhershme për shkak të procedurave të granteve me udhëzime, a ka ndonjë shkelje në raport të auditorit?”

“Pastaj, ju thoni për projektin e Bankës Botërore. Të nderuar deputetë, projekti i Bankës Botëorre ësht një projekt i ka qenë huamarrje. Pra nga qeveria e Kosovës janë dhënë afër 9 milionë euro përkrahje direkte bizneseve të cilat janë në nevojë për të rritur kapacitete prodhuese me avancim të teknologjisë”.

Hajdari foli edhe për akuzat për blerjen e pianos dhe Expo Dubain.

“Ju shpifni që ne kemi dhënë para për një piano në Dubai por s’është e vërtetë dhe kjo është një shpifje shumë e rëndë nga ju sepse nuk ka pasë asnjëherë interferencë Expo Dubai me fondet e Bankës Botërore”.

“Thjesht në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë 192 shtete që kanë arritur numrin e përgjithshëm të vizitave në 24 milionë vizitorë dhe asnjë cent i projektit nuk është në këtë ekspozitë”.

“Janë para gjithsej 500 mijë euro nga ministria e Financave që kemi financuar këtë ekspozitë me shumë të arritura dhe janë shpenzuar vetëm 100 mijë për paratë në expo Dubai”.

Kurse programi nga Banka Botërore është gjithsej 11.9 mil euro, 9.8 janë në zbatim me grantet për bizense tona dhe 2.1 mil për inspektime dhe më shumë”.

Ajo tha se artefaktet janë në menaxhim të organizuesve të ekspozitës në fjalë dhe se Kosova nuk përbën përjashtim nga 192 shtetet tjera pjesëmarrëse.

“Sa i përket skandalit Expo Dubai, ju lutem gjejeni çfarë skandali sepse ju flisni, ju shpifni, por ju nuk argumentoni. Duhet me thënë vërtet se çka, por jo vetëm fjalë të shpikur skandal”.

“Arfetaktet janë në menaxhim të organizuesve të ekspozitës ndërkombëtare Expo Dubai dhe aty kanë marrë pjesë 192 shtete. Aty kanë vizituar 24 milionë vizitorë dhe nuk jemi ne Kosova e para që duhet t’iu kthejmë artefaktet brenda 1 ose dy muajsh, por është menaxhimi që i besohet me sigurimet që i kem siguru si Republikë e Kosovës që të sigurohen artefaktet, kthimi i tyre”.

Deputetja e LDK-së kërkon shkarkimin e ministres Hajdari: Ishte në anën e militantëve

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të drejtë morale që ministrja e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari të japë dorëheqje.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku tha në seancën e Kuvendit se ministrja Hajdari ka dështuar në çdo strategji dhe fushë.

Sipas saj, ajo në kohë krize nuk ka qenë as në anën e tregtarëve dhe as të konsumatorëve.

Bunjaku: Ministrja e Tregtisë nuk ishte as në anën e tregtarëve e konsumatorëve, por në atë të militantëve

“Ministria e Industrisë në kohën më të keqe të rritjes së inflacionit nuk e ka treguar veten në asnjë fushë. Dështoi në çdo fushë në menaxhim, në strategji e shumë ushtrues detyre në këtë minstrie nuk ka vizion për mbrojtjen e ndërmarrësisë dhe tregtisë, nuk ishte as në anën e tregtarëve dhe as në anën e konsumatorëve, por vetëm në anën e militantëve të vetë“, tha Bunjaku.

Ajo e konsideroi të drejtë kërkesën për shkarkimin e ministres, Rozeta Hajdari.

Bunjaku: E drejtë morale që ministrja të japë dorëheqje

“Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë nuk e zhvilloi industrinë as ndërmarrësinë dhe as tregtinë, u rritën importet nga Serbia ku dikur ia rrotullonit ju vetë si VV kamionët. Kur ishit në opozitë nuk bëri asgjë më shumë për të avancuar më shumë tregtinë me Shqipërinë. Ministria nuk solli as investime të mërgatës, por as investime të huaja bile e keni sjell ligjin për shpallje të investitorëve strategjikë ju vetë dhe ju vetë jeni deklaruar se nuk duhet të votohet. Ministria ka bërë shumë skandale…Është e drejtë morale dhe moralisht duhet që kjo ministre të japë dorëheqje për skandalet e bëra në këtë ministri”, shtoi ajo.

Shala: PDK-ja e pati dërgu Mimozën në Ministrinë e Tregtisë, Kusari-Lila: S’më keni dërgu ju

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala dhe kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila i kanë vazhduar replikat ndaj njëri-tjetrit.

Shala tha se Kusari-Lila e krahasoi qeverisjen aktuale me atë të koalicionit PDK-AAK-Nisma.

“Sinqerisht me e dëgju shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje duke bërë krahasime të kësaj qeverie me PAN-in, unë besoj që do të duhej të reagonit ju, sepse ju keni ardhë me ndryshu, s’keni ardhë me kopju”, tha Shala, duke iu referuar deklaratës së deputetes, që e pyeti se pse s’kishte folur gjatë qeverisjeve të kaluara.

“PDK-ja asnjëherë s’ka menaxhuar me atë ministri. Një herë po, po e pati dërgu Mimozën. Dhe kthehu pak përtej PAN-it dhe shikoje veten ku ke qenë”, tha Shala, duke folur për Ministrinë e Tregtisë.

Kusari-Lila, reagoi më shkurtimisht, duke thënë se e vërteta është ndryshe.

“E vërteta është që ju s’më keni dërgu”, tha ajo.

“Mua më ka dërguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, shtoi Kusari-Lila.

Lekaj, ministres Hajdari: Institucioni që udhëhiqni quhet “Ministria e Paaftësisë”

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për punën e ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi se ata si spektër politik po edhe siç tha, qytetarët e Kosovës, definitivisht janë pajtuar se institucioni ku udhëheq ministrja Hajdari quhet ministri, por që sipas tij, emrin e vërtetë e ka “ministria e paaftësisë”.

“Një ministri e dështuar në palcë e cila nuk qe në gjendje një punë të hajrit me ia sjellë Kosovës qe tre vjet”, deklaroi ai gjatë fjalimit në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Ne si AAK vlerësojmë që është mëkat politik e shoqëror që një ministri bazë e shtetit me të gjithë ato potenciale që i ka, duke e ditur gjendjen e dobët sociale të qytetarëve, duke e ditur krizën ekonomike që e ka përcjellë secilën familje, biznes e ndërmarrje, nuk keni qenë në gjendje të merrni vendime e të zbutni sadopak krizën që e ka kapluar Kosovën këto dy-tre vjet”.

“Do të mbaheni në mend që ishit kampion të dështimit pa asnjë investitor strategjik nga brenda dhe nga jashtë vendit”, u shpreh mes tjerash deputeti Lekaj.

Tahiri: Një furrë në Kosovë ka ndërmjetësuar që të blihen rezervat shtetërore të grurit në Turqi

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë skandal me çështjen e rezervave shtetërore.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Tahiri tha se procedurat që janë klasifikuar si ‘sekret shtetëror’ për rezerva shtetërore, janë të kundërligjshme dhe paralajmëroi padi dhe ndjekje në gjykatë për këtë rast.

“Vendi ku ruhen rezervat shtetërore është plotësisht normale të jetë sekret shtetëror, mirëpo sa është blerë e ku është blerë, procedura, kompanitë ku janë  – këto nuk mund të jenë sekrete shtetërore, kjo s’ka ndodhur asnjëherë”.

“Kjo (ministrja Hajdari) ka bërë një vepër penale goxha të rëndë me të cilën ka për t’u ballafaquar”, deklaroi Tahiri.

Ai po ashtu shtoi se rezervat shtetërore që qeveria i ka blerë në Turqi, i kanë blerë nga një kompani e ndërtimit dhe se ndërmjetësuesi ka qenë një furrë në Kosovë.

“Pra, një furrë në Kosovë ka ndërmjetësuar që të blihen rezervat shtetërore të grurit në Turqi, dhe në fund ka dështuar dhe i ka kërkuar ambasadës turke ndihmë”.

“Kjo ministre që e drejton një prej dikastereve më të rëndësishme të vendit tonë, është duke u ballafaquar me një mori keqpërdorimesh në kuadër të asaj ministrie që i prin vetë, dhe padyshim që për të gjitha do të ndiqet penalisht”, përfundoi Tahiri i PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat