​Padia për gjenocid ndaj Serbisë, Haxhiu: Po punohet për të kompletuar dosjen

Aktuale

​Padia për gjenocid ndaj Serbisë, Haxhiu: Po punohet për të kompletuar dosjen

Më: 27 maj 2023 Në ora: 12:51
Albulena Haxhiu

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid, thotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Sipas saj, ky proces është duke u mbajtur jashtë publikut për shkak të ndjeshmërisë dhe rëndësisë së procesit. Ani pse ajo shprehet optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë se Kosova e ka të pamundur për shkak të barrierave juridike. Të njëjtit thonë për KosovaPress se është e pamundur që të dorëzohet kjo padi për shkak të pamundësisë së Kosovës që t’i kalojë pengesat formale që kanë të bëjnë me pranueshmërinë e kësaj dosje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se po punohet në kompletimin e kësaj dosje dhe se me të njëjtën do të merren ekspertët që janë për gjenocid.

“Brenda këtyre dy viteve ne kemi pasur takime të shumta me ekspertë të kësaj fushe, me përfaqësues të tri institucioneve, qoftë nga ana e presidentes, legjislativit por edhe ekzekutivit. Jemi duke punuar në këtë drejtim, por duke qenë se është një proces shumë i ndjeshëm, gjitha këto procese që i kemi adresuar gjatë kësaj kohe i kemi mbajtur jashtë publikut, jo për shkak se jemi kundër transparencës, përkundrazi, por pikërisht duke pasur parasysh rëndësinë që ka ky proces për Republikën e Kosovës dhe në anën tjetër, ndjeshmërinë që ka. Pra, po punojmë në këtë drejtim do të merren ekspertët që janë për gjenocid”, deklaron Haxhiu.

Bekim Blakaj, i cili udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare thotë se nuk kanë informacion se ka filluar përpilimi i padisë për gjenocid kundër Serbisë.

“Ne nuk kemi asnjë të dhënë që është ndërmarrë diçka konkretisht në terren, as që është caktuar dikush, një person, individ apo ekip që ta përpilojë këtë padi. Nuk kemi të dhëna të tilla. Megjithatë, ka nisma të tjera që janë ndërmarrë nga kryeministri Kurti për krijimin e disa mekanizmave që e trajtojnë të kaluarën, e njëra ndër to është edhe gjithë e dinë që është në proces ligji për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës. Sa e di unë ai institut ka kaluar në leximin e parë në Kuvend, tash është para disa komisioneve parlamentare dhe pastaj sigurisht do të kthehet në lexim të dytë dhe në aprovimin në Kuvendin e Kosovës”, thotë Blakaj për KosovaPress.

Sipas tij, përpilimi i padisë së këtij lloji është punë që kërkon kohë dhe ka barriera juridike për Kosovën.

“Në të kaluarën, Bosnja dhe Hercegovina ka bërë padi ndaj Serbisë për gjenocid, duke pasur parasysh që disa aktgjykime para Tribunalit të Hagës ndaj serbëve të Bosnjës, e kanë konfirmuar që në Srebrenicë ka pasur gjenocid. Edhe Kroacia ka bërë një padi ndaj Serbisë për gjenocid dhe pastaj Serbia ka bërë një kundër-padi ndaj Kroacisë për gjenocid, për një operacion ‘Stuhia’ që e ka quajtur Kroacia, ku në atë operacion shumë serbë janë vrarë dhe janë përndjekur nga drejtori i Kroacisë. Të gjitha këto, tri paditë e bëra edhe nga Bosnja edhe nga Kroacia edhe nga Serbia, nuk kanë kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pra, kanë rënë, janë refuzuar. Do të ishte mirë që të shërbehemi edhe me përvojën e të tjerëve sepse hipotetikisht nëse Kosova do të dorëzonte një padi për gjenocid ndaj Serbisë dhe ajo padi do të binte poshtë ose do të ishte refuzuar nga ajo gjykatë, Serbia e kish shfrytëzuar atë dështim si një argument plus duke e mohuar se Serbia ka bërë krime në Kosovë”, deklaron ai.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se Kosova e ka të pamundur të bëjë një padi të tillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ngritja e një padie të tillë nga ana e Kosovës është e pamundur. Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as palë nënshkruese e Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e të gjitha formave të gjenocidit. Për këtë arsye, premtimi për ngritjen e një padije të kësaj natyre është një premtim joserioz që u jep shpresa të rrema familjarëve të viktimave. Dhe nuk përkon me atë që realisht mund të bëjë Republika e Kosovës. Nëse eventualisht institucionet kosovare do të ngrehin një padi të tillë, ajo do të hidhej si e palejuar dhe nuk do të shqyrtohej fare në meritat e saj. Për këtë arsye, deri më tani ne ende nuk e kemi asnjë informacion nga ana e institucioneve se si do të punojnë përkitazi me këtë çështje”, thekson ai.

Përkundër këtyre barrierave juridike, optimiste shprehet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo thotë se ekspertët do të elaborojnë të gjitha aspektet në mënyrë që Kosova ta fitojë këtë rast.

“Unë besoj që mund të konsiderohet herët të flasim për këtë çështje, sigurisht që dimë edhe përvojat që kanë kaluar vendet e tjera. Por, pavarësisht se çfarë ka ndodhur me vendet tjera nuk mund të thuhet që nuk ka pasur në Kroaci gjenocid apo në Bosnje. Për shkak të mënyrës se si janë kryer krimet e gjenocidit apo aktet e gjenocidit, qoftë në Kroaci apo Bosnje, sikurse edhe në Kosovë. Ne gjatë kësaj kohe, sidomos përkujtojmë 24-vjetorin e masakrave që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë dhe ka shumë masakra ku qytetarët tanë janë vrarë, janë djegur trupat e tyre dhe pikërisht me këtë dëshmohet gjenocidi që ka ndodhur në Republikën e Kosovës. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që personat që do të merren me këtë çështje, ekspertët t’i elaborojnë të gjitha këto aspekte në mënyrë që Kosova ta fitojë këtë rast”, shton Haxhiu.

E para e drejtësisë nuk jep ndonjë afat se kur mund të përfundojë përpilimi i kësaj dosje, veçse thotë se tashmë i takon Zyrës së Kryeministrit.

“Siç e dini kjo është në Zyre të Kryeministrit, si përgjegjësi e Zyrës së Kryeministrit. Për ne është prioritet mbi prioritetet e tjera, por jo gjithçka varet nga ne. Unë mendoj që është më e rëndësishme ta kompletojmë dosjen për këtë çështje, ta adresojmë një prej sfidave më të mëdha që kemi, duke pasur parasysh që në Kosovë nuk ka pasur një institucion që ka dokumentuar krime lufte. Ne për herë të parë jemi duke e bërë, apo jemi duke e themeluar institutin që do të dokumentojë krimet e luftës dhe për herë të parë po punohet për strategjinë tranzicionale. Prandaj duke pasur parasysh që ne nuk kemi trashëguar dokumentim institucional mbi këtë, sigurisht që është më sfiduese”, vijon Haxhiu.

Në vitin 1999, ndaj Serbisë kishte ngritur padi Kroacia për gjenocid gjatë luftës 1991-1995. Serbia kishte paraqitur kundër-padi me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë janë detyruar të zhvendosen, në kohën kur Kroacia kishte filluar një operacion ushtarak. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2015, kishte vendosur se as Serbia, e as Kroacia nuk kanë kryer gjenocid.

Ndërkaq, GjND në vitin 2007 kishte konstatuar se vrasjet e rreth myslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid, por që nuk kishte prova të mjaftueshme se kishte përgjegjësi të drejtpërdrejt për këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat