Kelmendi thotë se takimi i gazetarëve me Hovenierin ishte brengosës

Aktuale

Kelmendi thotë se takimi i gazetarëve me Hovenierin ishte brengosës

Më: 30 maj 2023 Në ora: 18:49
Gazetari Adriatik Kelmendi

Gazetari Adriatik Kelmendi së bashku me pesë gazetarë të tjerë të medieve të ndryshme, janë takuar sot me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, ku kanë diskutuar rreth situatës së krijuar në veri të vendit.

Në emisionin Info Magazine, Kelmendi ka thënë se deri më tani ky ka qenë takimi më brengosës që e ka pasur me zyrtarë amerikanë në karrierën e tij të gjatë të gazetarisë.

“Ishte një takim që u thirr me urgjencë që është jo-tipike për takimet e tilla. Zakonisht ka ftesa për media, gazetarë, persona publikë të cilët ftohen nganjëherë është ‘off the record’, nganjëherë ndodh edhe kjo një intervistë me gazetarët prej gjashtë medieve të ndryshme”.

“Ishte dy orë me herët, pra para se të mbahet takimi në orën 15:30 që më kontaktuan nga ambasada amerikane dhe më pyetën se a mund të shkoja në këtë intervistë të përbashkët”.

“Dorën në zemër, si një gazetar në takime të shumta që kam pasur gjatë gjithë karrierës sime profesionale me zyrtarë amerikanë, qofshin ambasadorë ose të tjerë, mund të them se ky ka qenë takimi më brengosës dhe me tonet më pesimiste që i kam dëgjuar nga zyrtarë të nivelit të tillë amerikanë”.

Tutje, drejtori i përgjithshëm i televizionit, ka treguar se ambasadori Hovenier me një ton të zymtë dhe me një mërzitje ua ka kumtuar një lajm të keq për Kosovën.

“Pra nuk është lehtë të dëgjohet që përfaqësuesi i ShBA-së, shteti që e ka sponsorizuar Pavarësinë e Kosovës dhe falë të cilit edhe janë bërë pjesa më e madhe e njohjeve, të thotë se më nuk do të angazhohet për njohje shtesë për shtetin e Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat