Kurti për CNN: Nuk do t’ia dorëzoj republikën demokratike milicive fashiste

Aktuale

Kurti për CNN: Nuk do t’ia dorëzoj republikën demokratike milicive fashiste

Më: 30 maj 2023 Në ora: 20:23 Përditësuar në ora: 20:51 më 30.05.2023
Albin Kurti

Kurti: Kosova storje suksesi e NATO-s të cilës nuk i gëzohen vetëm Serbia e Rusia

Kryeministri  Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është një storje suksesi e NATO-s pasi në vitin 1999 ajo u çlirua nga Serbia dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Në një intervistë për CNN International, ai tha se suksesit të Kosovës nuk i gëzohen vetëm Serbia dhe Rusia.

“Në Kosovë 4 për qind e minoriteteve janë serbë, 93 për qind e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa 3 përqindshi tjetër i popullsisë i takon minoriteteve të tjera që janë boshnjakë, turq, kroatë, romë, ashkali dhe egjiptas. Nuk mund të ketë privilegj vetëm për një minoritet në Kosovë”.

“Serbia është ajo që po e vajton akoma humbjen e Kosovës në vitin 1999 kur intervenoi misioni i NATO-s. Kosova është një storje suksesi e intervenimit të NATO-s, kjo gjë e pengon vetëm Beogradin dhe Kremlinin”, ka thënë Kurti.

Në një intervistë me Isa Soares për CNN International, ai ka folur edhe për Asociacioni e komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se duhet të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, duke e përmendur kështu edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila nuk lejon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Kurti: Policia duhet të jetë në objektet e komunave në veri derisa ka grupe kriminale jashtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për vendosjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në objektet e komunave të veriut, të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Në një intervistë me Isa Soares për CNN International, ai ka thënë se numri i pjesëtarëve të policisë duhet të rritet përderisa jashtë objekteve të komunave ka shumë pjesëtarë të grupeve kriminale dhe të strukturave paralele të Serbisë.

“Policia duhet të jetë si në çdo komunë tjerë e pranishme edhe në komunat veriore.

Nuk mund të kem vetëm një numër të policëve jashtë (ndërtesave të komunave) të cilët duhet të zbatojnë ligjin dhe të krijojnë siguri, kur ka numër të madh të shtuar të grupeve kriminale dhe strukturave paralele të Serbisë në atë zonë”, ka thënë Kurti.

Deklarata e Blinken, Kurti: Nuk do t’ia dorëzoj republikën demokratike milicive fashiste

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kthyer përgjigje deklaratës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në të cilën ka kërkuar që të ndalen menjëherë masat në veri, të cilat ai i quajti të dhunshme, dhe të ripërqendrohet në dialog.

Kurti, në një intervistë për CNN International me moderatoren Isa Soares, ka thënë se Republikën e Kosovës nuk do t’ia japë serbëve.

“Të gjithë ndërkombëtarët i kanë pranuar rezultatet. Kështu, kryetarët duhet të shkojnë në zyra.

Po punoj për së afërmi me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me SHBA dhe BE, të cilët i konsiderojmë miqtë më të rëndësishëm, por nuk do t’ia dorëzoj republikën demokratike milicive fashiste”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat