Kurti, Escobarit: S’mund të kemi kryetarë komunash me “Zoom”

Aktuale

Kurti, Escobarit: S’mund të kemi kryetarë komunash me “Zoom”

Më: 30 maj 2023 Në ora: 21:36
Foto nga takimi

Kryeministri i Kosovës ka fajësuar për dhunën në veri të vendit “turmat fashiste” të kontrolluara nga qeveria e Serbisë fqinje dhe tha se ai kishte refuzuar një kërkesë të SHBA-së për të zhvendosur kryetarët e komunave të instaluar së fundmi nga zyrat e tyre zyrtare.

“Dje ishte shumë e rëndë, ishim shumë me fat që nuk humbi asnjë jetë”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes telefonit nga Prishtina të martën për “Guardian”. Ai tha se “disa” paqeruajtës të NATO-s ishin ende në spital.

Të premten, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken lëshoi një qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj një aleati të SHBA-së, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe ka “përshkallëzuar ashpërsisht dhe në mënyrë të panevojshme tensionet”.

Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë si “lëmim” të Vuçiqit.

“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”, tha Kurti, duke folur për “Guardian” në telefon nga Prishtina. “Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”.

Që atëherë, Kurti tha se kishte folur me Gabriel Escobarin, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin. Ai tha se Escobari kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose t’i bënin ata të punojnë nga shtëpia, një kërkesë që ai e kishte refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetar komunash në ‘Zoom’, ne jemi republikë demokratike”, tha Kurti. “Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, shtoi ai.

Kurti këmbënguli se kryetarët e rinj do të vazhdojnë të punojnë nga zyrat komunale.

“Këta janë kryetarë administrativë, teknikë që janë të domosdoshëm për funksionimin normal të komunave… Unë e pranoj se legjitimiteti politik i këtyre kryetarëve është i ulët, por legjitimiteti i të tjerëve është zero”, tha Kurti në këtë bisedë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat