‘Financial Times’ për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës: Washingtoni po hakmerret për trazirat në veri

Aktuale

‘Financial Times’ për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës: Washingtoni po hakmerret për trazirat në veri

Më: 30 maj 2023 Në ora: 23:22
Pamjet e dhunës në veri nga serbët

ShBA-ja ka ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj Kosovës për nxitjen e tensioneve që çuan në plagosjen e paqeruajtësve të NATO-s dhe protestuesve serbë, shkruan prestigjiozja “Financial Times”.

Në një shkrim të gjatë rreth tensioneve në veri të Kosovës, FT konsideron se Washingtoni po i hakmerret Qeverisë së Kosovës pasi nuk po shohin se po ndërmerren masa që çojnë te de-përshkallëzimi i situatës.

“Autoritetet e Kosovës çuan [në veri] policinë gjatë fundjavës për të siguruar që kryetarët shqiptarë etnikë që kishin fituar zgjedhjet e diskutueshme të prillit, të vendoseshin në zyrat e tyre në komunitetet me shumicë serbe në veri të vendit. Qindra serbë dolën në rrugë dhe u përleshën me personelin kombëtar dhe ndërkombëtar të zbatimit të ligjit të hënën duke rezultuar në më shumë se 50 protestues dhe 30 trupa të NATO-s të plagosur”, shkruan “Financial Times”.

“Washingtoni është tradicionalisht një aleat i fortë i Kosovës, pavarësia e së cilës ende nuk njihet nga Serbia dhe një pjesë e vogël e vendeve të BE-së”.

Tutje, FT ka listuar edhe sanksionet që SHBA-ja ia vendosi Kosovës të hënën, përcjell Reporteri.net.

“Hovenier tha se SHBA do të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe do të pezullojë takimet diplomatike. Washingtoni gjithashtu do të ndalojë së avokuari për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian”.

Duke raportuar për marrëveshjen e arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë, “Financial Times” shkruan se “kjo marrëveshje tani është nën kërcënim, me efekte të mundshme negative për stabilitetin e rajonit” teksa ka cituar profesorin universitar në Universitetin e Johns Hopkins në SHBA, Edward Joseph.

“Procesi është dëmtuar rëndë”, është cituar të ketë thënë ai. “Shpresoj që marrëveshja nuk ka vdekur tërësisht, por një sjellje e tillë e papërgjegjshme i bën këto marrëveshje jashtëzakonisht të vështira për t’u zbatuar.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbajti një ton sfidues të martën”, vazhdon tutje shkrimi i “Financial Times”. “Ndërsa dënoi dhunën dhe falënderoi NATO-n, ai fajësoi “grupet ekstremiste të djathta me maska që vandalizojnë, sulmojnë, djegin gjithçka që ata nuk e konsiderojnë serbe””.

Këto tensione, vazhdon tutje shkrimi, vijnë në një kohë protestash kundër dhunës në Serbi, dhe presionit ndaj presidentit serb Vuçiq pas dy sulmeve të rënda me armë në Beograd.

Vëmendje i është kushtuar edhe vizitës së Vuçiq në afërsi të kufirit të Kosovës, dhe takimet e tij të fundit me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, Rusisë, dhe Kinës.

“Vuçiq, i cili ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të ushtrisë serbe, bëri një vizitë brenda natës te trupat afër kufirit me Kosovën. Ai zhvilloi gjithashtu takime me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës si dhe me ata të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat