Osmani kërkon mbështetjen e partnerëve për ta luftuar Serbinë destabilizuese, ka një mesazh edhe për Vuçiq-in

Aktuale

Osmani kërkon mbështetjen e partnerëve për ta luftuar Serbinë destabilizuese, ka një mesazh edhe për Vuçiq-in

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 12:35 më 01.06.2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një paraqitje për media në Moldavi, ku po marr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, 1 qershor 2023.

Osmani ulet mes Macronit e Scholzit në samitin e Kishinaut

Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela ka bërë të ditur se ka filluar samiti i Komunitetit Politik Evropian në Kishinau të Moldavisë.

Vela shkroi se në fillim të këtij samiti, presidenti ukrainas Zelenski pati një fjalim “pasionant” para kryetarëve të 47 shteteve evropiane.

“Një shfaqje e madhe mbështetjeje dhe solidariteti me popullin e Ukrainës. Demokracitë do të mbizotërojnë kundër luftës së agresionit nga një vend hegjemonist”, shkroi Vela.

Në mesin e liderëve është edhe presidentja Vjosa Osmani. Në fotografinë e publikuar nga Vela, Osmani shihet se është uluar mes presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz.

​Osmani: Vuçiq po tenton ta destabilizojë Kosovën, asesi nuk duhet ta lejojmë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale ta destabilizojë Kosovës. Ajo ka theksuar se një veprim i tillë nuk duhet lejuar assesi.

Këto komente e para e vendit i ka bëri në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), me ç’rast ka theksuar se koordinimi me aleatët ndërkombëtarë është kyç për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po ashtu është shprehur se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë, duke tentuar ta destabilizojë Kosovën dhe rajonin.

“Ne si rajon e në veçanti si Kosovë jemi përballë sfidave të tilla, sepse Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë duke tentuar ta destabilizojë Kosovën, por edhe shtetet tjera të rajoni. Kështu që, unë këtu sot për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtar që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese, që t’i luftojmë së bashku për sundim të ligjit dhe të parandalohet ndikimi edhe i propagandës por edhe i këtyre tendencave. Vuçiq është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale të destabilizojë vendin tonë. Nuk duhet assesi të lejojmë një gjë të tillë, prandaj koordinimi me aleatët tanë, të cilët kanë qëndruar pranë nesh përgjatë kohëve më të vështira dhe përgjatë sukseseve tona është kyçe në mënyrë që të arrijmë bashkarisht edhe të shtensionohet situata, por edhe që të shtyjmë përpara ide e propozime, të cilat kontribuojnë për paqe e stabilitet”, ka thënë Osmani.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç takohet me Ramën në Moldavi: Ne e dimë sa e rëndësishme është të ruajmë paqen në rajon

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar në Moldavi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat serbe, të cilat kanë publikuar edhe një foto të bisedës mes tyre, teksa ndodhen në Samitin e Komunitetit Politik Europian në kryeqytetin Kishinau.

“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që së bashku të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi.

Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresoj se arsyeja do të mbizotërojë, për të mirën e të gjithëve”, tha Vuçiç.

Presidenti Vuçiq u takua me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, Presidenten e Republikës së Greqisë Katerina Sakelaropoulou, Kryeministren e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë gjatë samitit të Komuniteti Politik Evropian në Kishinau.

Kancelari i Austrisë për situatën në veri: Palët po bëjnë hapa që e pamundësojnë de-eskalimin e situatës

Kancelari i Austrisë Karl Nehammer, ka folur rreth situatës në veriun e Kosovës.

Nehammer tha se palët po bëjnë hapa që e pamundësojnë de-eskalimin e situatës.

“Kur jemi tek kjo situatë. Institucionet kosovare nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap për ta de-eskaluar situatën. Është shumë e rëndësishme që dhuna të ndalet. Dhuna është çdoherë e papranueshme”, tha ai në adresimin para mediave në prag të nisjes së Samitit të Liderëve Evropianë në Moldavi.

Kancelari austriak theksoi Serbia është një vend shumë i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.

“Ka ndikim të madh në de-eskalimin e konflikteve. Por, për të de-eskaluar duhen dy vende. Duhet edhe Kosova”, tha shefi i qeverisë austriake.

Kosova e Serbia e fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet në veri

Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t'i dhënë fund dhunës në veri të vendit, tha të enjten presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

"Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij", tha Osmani për agjencinë e lajmeve Reuters.

"Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi i ekzistencës së Kosovës si shtet sovran nga ana e Serbisë", tha ajo.

Osmani tha se Serbia po mbështet aktivisht "strukturat ilegale" në Kosovë për të destabilizuar vendin nga brenda.Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, tha ajo. "Ai ende nuk e ka treguar këtë."

Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai, të enjten u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, "kryetarët e supozuar" nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte "lëvizja më e fuqishme" për zgjidhjen e krizës.Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.

“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki, të mërkurën, që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t'ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi.

"Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme", tha ai.

Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi.

Osmani: Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka thënë se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin e Ballkanit dhe ka tendenca për të destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Ne si rajon dhe në veçanti si Kosovë, jemi përballë sfidave. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë, duke tentuar vazhdimisht për ta destabilizuar Kosovën, por edhe shtetet e tjera të rajonit.

Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese”, tha ajo, raporton RTK

Osmani vlerësoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është i interesuar të përdorë bandat e tij kriminale për të destabilizuar Kosovën.

Ajo ka theksuar se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët që kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, për të forcuar situatën dhe për të parandaluar destabilizimin e rajonit.

Presidentja Osmani ka njoftuar se do të zhvillojë takime me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me liderët e tjerë evropianë gjatë samitit.

Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se nuk ka planifikuar të takohet sot me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Osmani: Vuçiq duhet ta ndalojë mbështetjen për bandat kriminale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet ta ndalojë mbështetjen për “bandat kriminale” nëse vërtet do paqe.

“Ai duhet ta tregojë këtë”, tha Osmani, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Osmani po merr pjesë në një takim të Komunitetit Politik Evropian, i cili po zhvillon punimet në Kishinjev të Moldavisë.

Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

-------------------

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot pritet të takohet me presidentin e Francës Emnanuel Macron, në Kishnau të Moldavisë.

Kjo u bë e ditur nga ai gjatë një fjalimi të tij në në GLOBSEC 2023 Bratislava Forum.

Macroni tha do ta takojë Osmanin dhe Vuçiqin.

Kreu i shtetit francez foli edhe për tensionet në veri.

“Ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe mungesë respekti për një marrëveshje që është e rëndësishme dhe është mbyllur disa javë më parë”, tha ai.

E para e shtetit të Kosovës do të takohet po ashtu edhe me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se kancelari gjerman do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Hebestreit theksoi se do të diskutohet rreth situatës aktuale në veri të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat