Deputeti i PDK-së: Zgjedhje në veri mund të ketë pas 6 muajve, Kryeministri duhet të rrëzohet

Aktuale

Deputeti i PDK-së: Zgjedhje në veri mund të ketë pas 6 muajve, Kryeministri duhet të rrëzohet

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 17:32
Hisen Berisha

Deputeti Hisen Berisha nga radhët e PDK-së ka folur lidhur me situatën në veri ku ka komentuar tensionet atje.

Sipas tij, gjendja e tillë jep mundësinë për zgjedhje të reja në veri.

“Sa i përket zgjedhjeve në veri edhe më herët e kam lansuar të njëjtën ide se është e mundur që në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet në këtë verë, në qoftë se ka diskutim legjitimiteti i kryetarëve të zgjedhur. Mirëpo kjo është procedurë ligjore dhe kushtetuese, e cila kërkon një përqindje të qytetarëve apo të votuesve atje, pastaj kërkon një harmonizim ndërpartiak, siç është Partia Demokratike e Kosovës, e cila i ka dy kandidatë të vet atje”, ka thënë Berisha.

Berisha, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri e sheh si zgjidhje e cila, sipas tij, do të funksiononte vetëm pas 6 muajve.

“Kjo zgjidhje për këto zgjedhje mund të bëhet vetëm pas 6 muajve, por me kusht që brenda këtyre muajve të formalizohet mandati i  këtyre që janë atje dhe në mënyrë formale apo teknike ta kryejnë detyrën e vet deri në zgjedhjet e reja. Unë mendoj, që do të ketë zgjedhje pas 6 muajve, të harmonizuara me përfaqësuesit e serbëve lokal të Kosovës, (pa e përfshirë Beogradin),  Qeverinë tonë dhe partnerët ndërkombëtar, ShBA-të në thelb si dhe praninë ushtarake ndërkombëtare”, tha ai.

Berisha tha se , kryeministri duhet të rrëzohet nga pushtetit dhe të shpëtohet Kosova duke krijuar një Qeveri gjithpërfshirëse.

“Unë mendoj se me të gjitha mjetet juridike dhe kushtetuese, kryeministri duhet të rrëzohet nga pushtetit dhe të shpëtohet Kosova duke krijuar një Qeveri me bazë të gjerë, një qeveri e cila  do të ishte gjithëpërfshirëse e gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile dhe që do të kishte një plan të detyrave konkrete, jo mandat me vite, me kohë por mandat me detyrat që do të duhej t`i kryej. Detyrat obliguese që ka me marrëveshjet e arritura me partnerët ndërkombëtar deri tek reformat e sistemit zgjedhor dhe shkëmbimi i të gjithë atyre temave mbi të cilat kanë krijuar kauza në të kaluarën”, tha ai.

Gjithashtu, Berisha ka përmendur edhe zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.  Sipas tij, zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për ta ndalur keqqeverisjen, duke i përmendur edhe disa nga arsyet se pse vendi ka nevojë për to.

“Po, duhet të ketë sepse zgjedhjet e reja do të duheshin të jenë lidhja për ta ndalur keqqeverisjen dhe dëmin politik që po bëhet ndaj Kosovës. Zhvillimi ekonomik është në falimentim total, ndërsa në aspektin social është një varfërim i skajshëm dhe kjo situate nuk është se qytetarët kanë qenë të varfër apo kanë lindur të tillë, por kjo Qeveri i ka varfëru, deklaroi ai.

Berisha ka thënë se nuk do të duhet të ketë tolerance në rastë të shkeljes së Kushtetutës, pasi që sipas tij, këtë e kanë bërë edhe Presidentja dhe Kryeministri, dhe kjo do të ishte një arsye e fortë për ta çuar vendin drejtë zgjedhjeve.

“Presidentja ka pasur shkelje në procedurën e zgjedhjes së saj. Ka pas kontrabandim të votës drejtëpërdrejtë. Madje, edhe Kryeministri i një shtetit që në foltore para deputetëve, thotë se kjo Kushtetutë edhe ashtu do të duhej të shkilet, ai shtet ka marr fund, u shpreh Berisha.

Madje deputeti i PDK-së nuk u kursye edhe ndaj rasteve të fundit, duke përmendur mashtrimet në KEK dhe në institucione tjera.

“Kjo qeveri ka bërë mashtrime në çdo segment të jetës, ku kanë premtuar, punësim, drejtësi, ndalje të korrupsionit e krimit të organizuar edhe pse të gjitha këto fenomene sot i ke më evidente se kurrë. Mashtrimet dhe arrestimet në KEK për miliona të vjedhura e shumë raste të tjera për të cilat do të duhet të mblidhen fakte dhe të deponohen në Prokurori. Por, Prokuroria tash është e hendikepuar nga presioni i kryeministrit, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë në histori të shtetit të ri të Kosovës”, ka deklaruar Berisha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat