Bislimi ia numëron Serbisë shkeljet e marrëveshjeve: Vuçiq po bën propagandë të pastër

Aktuale

Bislimi ia numëron Serbisë shkeljet e marrëveshjeve: Vuçiq po bën propagandë të pastër

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 16:23
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot e quajti të pavërtetë deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se për CNN se Serbia i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet që nga viti 2013 e deri më sot.

Bislimi u shpreh se deklarata e Vuçiqit është propagandë e pastër.

Ai në Twitter listoi disa prej shkeljeve të marrëveshjeve që ka bërë Serbia.

Pika e parë, të cilën e listoi Bislimi është marrëveshja e vitit 2013, në të cilën përshkruhet shuarja e strukturave paralele serbe. E për këtë, Bislimi shkroi se Serbia kurrë s’e ka përmbushur këtë obligim.

Ndër pikat tjera që ceku Bislimi është edhe lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anetarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“1. Marrëveshja e vitit 2013, ka përshkruar shuarjen e strukturave paralele ilegale. Duke vazhduar t’i mbajë strukturat paralele në veri të vendit aktive dhe duke ofruar paga për personat që mbajnë ato funksione, Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk e përmbushi këtë obligim. Një dështim, efektin e së cilës po e ndjejmë edhe sot me tensionet e shkaktuara nga këto elemente kriminale në veri, ku huliganët e bandat të dirigjuara nga Beogradi po vazhdojnë të mbrojnë këto institucione paralele; E njejta marrëveshje e vitit 2013, kërkon nga Serbia që të mos e pengojë apo inkurajojë pale të treta që ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Dihen përmasat e përmbushjes së këtij obligimi nga ana e Serbisë së Vucicit. Njësoj të pazbatuara kanë rezultuar edhe obligimet e marra nga Serbia në marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit; marrëveshja për vulat doganore; marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave, marrëveshja për zhbllokimin e linjave të interkonjeksionit, marrëveshja për energjinë, pjesë të marrëveshjes për telekomin; marrveshja për vendosjen e zyreve ndërlidhëse; marrëveshja për certifikatat fitosanitare e shumë e shumë të tjera. Aq shumë shkelje, sa kemi konstatim zyrtarë të vetë Brukselit, sipas të cilit, lista e mospërmbushjes së obligimeve nga ana e Serbisë është dy herë më e gjatë se ajo e palës kosovare”.

2. Dëftimet e premtimet e panumërta nga figura të larta, që Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës janë shkelje direkte e marrëveshjes bazike të 27 Shkurtit si dhe kundër parimeve të normalizimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore;

3. Vota e Serbisë kundër aplikimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës është shkelje e cila është njohur edhe nga Parlamenti Evropian i cili i bën thirrje Serbisë që ta ndryshojë votën sa më parë;

4. Lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anetarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe fushatat për çnjohjen e Republikës së Kosovës, njihen mirë tashmë sepse vetë ato janë bërë publike nga i njëjti president i Serbisë;

5. Deklaratat e vazhdueshme ku veriut të Republikës së Kosovës i referohet si zonë e okupuar, dëftim i cili haptazi është cënim i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe është kundër gjithë parimeve të normalizimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore;

6. Për më tepër, e njëjta qeveri e i njëjti president, për vite me radhë, ka kërcënuar pluralizmin demokratik përbrenda komunitetit Serb në Kosovë duke imponuar vetëm një parti politike e cila kontrollohet direkt nga Beogradi. Kjo frymë autokrate e përcjellur direkt nga Beogradi, e ka lënë komunitetin serb për muaj me rradhë pa përfaqësim në institucionet e Republikës së Kosovës, jashtë kandidimit në zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore. Pluralizmi politik është një nga vlerat demokratike që e karakterizon mjedisin politik në Kosovë për të gjitha komunitetet, përveç atij serb, i cili fatkeqësisht me presion e kërcënime nga Beogradi është shtypur dhe shantazhuar në çdo çast që ka pasur tendenca të krijohen parti të tjera politike të komunitetit serb në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat