Të rinjtë në Lipjan mes pendesës përgatiten për jetën pas burgut

Aktuale

Të rinjtë në Lipjan mes pendesës përgatiten për jetën pas burgut

Më: 4 qershor 2023 Në ora: 12:28
Foto ilustrim

Rreth 50 të mitur në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, si të dënuar, në paraburgim apo me masë edukuese korrektuese, i nënshtrohen programeve të ndryshme rehabilituese që synojnë të përgatisin të njëjtit për jetën pas lirimit.

Të miturit, të penduar për veprat që kanë kryer, thonë se angazhohen maksimalisht në këto aktivitete dhe trajnime ndërsa kanë mesazhe edhe për të rinjtë që të jenë të kujdesshëm me jetën e tyre dhe të mos bejnë vepra për të cilat mund të pendohen.

Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur, Ali Gashi thotë se të rinjtë aty janë për vepra të ndryshme penale si vrasje e rëndë, tentativa për vrasje, dhunë, përdorim i substancave narkotike dhe shkaktim i rrezikut në komunikacion.

Gashi, ndërsa shpjegon për aktivitetet dhe trajnimet e të dënuarve në Qendrën Korrektuese, thotë se përmes tyre synojnë t’i përgatisin të rinjtë për jetën e mëtutjeshme pas përfundimit të dënimit.

Gashi: Trajnimet janë nga profesionistë

“Në bazë të rutinës, këta të mitur janë të përfshirë në aktivitet nga mëngjesi në orën 07:00, pastrimi, higjena, ata që janë në shkolla fillon që nga ora 08:00 procesi mësimor, ku janë të angazhuar 8 profesorë të lëndëve të ndryshme... Organizojmë brenda institucionit kurse trajnuese për profile si ngrohje dhe klimatizim i elektros dhe profilin e ndërtimtarisë. Këto trajnime i organizojmë në bashkëpunim me Agjencinë e Punsimeve të Kosovës... Në kuadër të saj ka instruktorë të këtyre profileve”, deklaron Gashi.

Të rinjë që i nënshtrohen këtyre trajnimeve kanë mundësi certifikimi në certifikatat e të cilëve, që janë të barazvlefshme si të gjithë qytetarëve të tjerë që certifikohen në institucione të tjera, nuk shkruan vendi ku e kanë kryer trajnimin.

Gashi: Të dënuarit certifikohen

“Në fund të trajnimeve organizohet testi nga Qendra për Aftësi Profesionale dhe në fund certifikohen me një certifikatë valide, në të cilën askund nuk i’u figuron që të miturit kanë përfunduar këtë trajnim në institucionet korrektuese. Certifikatat që i marrin të miturit janë të barazvlefshme me të gjithë qytetarët e tjerë... Trajnimet qe ne i organziojmë në vazhdimësi ka kërkesa dhe tregu i punës kërkon profile të tilla dhe ne me këtë aspekt përveç që iu ofrojmë siguri, ushqimin, higjenën, përpos të tjerave ne më këto trajnime i përgatisim për jetën e mëtutjeshme që të mos jenë barrë e familjes, shoqërisë dhe rrethit”, shton ai.

Ambientimi nuk është i lehtë, sidomos në fillim, pasi edhe për arsye sigurie të dënuarit i nënshtrohen një sistemi “gjysmë të hapur” derisa të sigurohet se qëllimi i tyre nuk është më arratisja nga Qendra Korrektuese.

Gashi: Në fillim punohet shumë me të dënuarin

“Këta të mitur kanë vepra të natyrave të ndryshme dhe për shkak veprimeve dhe sjelljeve të tyre, qoftë në familje, shkollë, shoqëri kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë ardhur për vuajtje të dënimit dhe lehtë nuk ambientohen këtu sepse vijnë nga jeta ku kanë mundësi argëtimi, shkollimi, ndodhen në gjirin familjar, tash këtu shumëçka ju mungon. Ne ata që janë me masë edukuese i vendosim për herë të parë në sistemin gjysëm të hapur dhe i tërë stafi punon me ta derisa konstatojmë se ata të mitur nuk do të arratisen”, thotë ai.

“Y”, është një prej të rinjve që po vuan dënimin e tij për vrasje në këtë qendër. Ai gjersa tregon se po përpiqet të mbajë hapin sipas kushteve të burgut. Ai thotë se jeta në burg është e vështirë dhe kërkon nga bashkëmoshatarët e tij që për veprimet të mos ndikohen nga shoqëria.

“Y”: Është e vështirë përpiqemi të mësojmë

“Unë punoj, studioj. Kemi mundësi të shkojmë dhe në fitnes, kush dëshiron të luajë futboll, ping-pong...Është e vështirë (të jesh student) për shkak se nuk mund t’i përcjell disa ligjërata dhe nuk mund të përgatitesh ata që studiojnë jashtë burgut, por me këto kushte që janë nëse përpiqesh mund të arrish diçka... Kjo është qendër korrektuese dhe disa gjëra janë më të vështira, sepse është burg. Unë i kam edhe 4 vite burg për ta mbajtur dhe do t’i shikoj shanset kur të dal që do të më ofrohen nga jashtë, të angazhohem me një punë, të bëj diçka me diplomën.... (Të rinjtë) Të kenë kujdes të mos ndikohen nga rrethi”, shprehet ai.

“X” është një tjetër i ri që ka përfunduar prapa grilave në Lipjan për shkak të dhunimit. Ai thotë se është i penduar për veprën, prandaj këshillon të tjerët të bëjnë kujdes me jetët e tyre.

“X”: Na mungon familja

“Unë shkaku i dhunimit jam këtu... Unë jam i dënuar, sepse e kam dhunuar një femër 15-vjeçare dhe tash po e vuaj dënimin këtu në burgun e Lipjanit... Shumë jam penduar, e kam shprehur në gjykatë, polici dhe jam në gjendje ta shpreh prapëpendimin në gjykatë që e kam bërë këtë vepër. Mesazhi im për bashkëmoshatarët është që të mos përsërisin vepra, t’ju kthehen familjes dhe jetës, në mënyrë që të mos arrijnë këtu ku jemi sot ne. Shumë është e vështirë, këtu i kemi kushtet e mira, mirëpo po na mungon familja dhe po bëhet e vështirë jeta”, thekson ai.

“Z” gjendet në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan për shkak të veprës së mashtrimit, për të cilën thotë se nuk do ta përsërisë më.

“Z”: Nuk do ta përsëris veprën

“Unë e kam pranuar fajësinë për veprën dhe jam penduar dhe prapë pendohem për atë vepër qe e kam bërë dhe kam premtuar që nuk do ta përsërisë më atë vepër... Mesazhi im për bashkëmoshatarët është të mos e përsërisin këtë vepër sepse është shumë e rëndë sidomos për familjarët në shtëpi të cilët mërziten për neve. Ne e kemi sjellë veten në një pozitë të ulët, edhe familjen tonë, por edhe veten”, thotë ai.

Në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan nuk mungon as bashkëpunimi me shkrimtarë, këngëtarë e aktorë të ndryshëm, që në fokus kanë argëtimin dhe largimin nga rutina e përditshme e të dënuarve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat