LIVE: Situatë e qetë në veri/ Në protestë edhe nxënësit – këto vazhdojnë të jenë dy kushtet e Listës Serbe

Aktuale

LIVE: Situatë e qetë në veri/ Në protestë edhe nxënësit – këto vazhdojnë të jenë dy kushtet e Listës Serbe

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 08:12 Përditësuar në ora: 13:24 më 05.06.2023
Pamje nga veriu

KFOR-i largon telat gjemborë në Zveçan

Telat gjemborë të cilat kanë qëndruar për disa ditë rresht afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit, janë hequr pak me parë nga ushtarët e KFOR-it.

Kjo dëshmon për situatën aktuale të qetë në ketë komunë, ndërsa protestuesit para pak çastesh shpalosën një pano me mbishkrimin "Zveçanit është i përhershëm", në alfabetin cirilik.

Protestuesit të cilët janë në numër më të vogël se zakonisht, kryesisht femra, janë duke qëndruar nëpër tendat e improvizuara para ndërtesës së kësaj komune.

Pjesëtarët e KFOR-it janë para objektit komunal dhe po qëndrojnë përballë protestuesve.

Protestuesit bllokojnë një automjet të Policisë së Kosovës në Zveçan

Një automjet i Policisë së Kosovës sapo është bllokuar nga protestuesit në Zveçan.

Automjeti në të cilin ndodhen tre policë, gjatë patrullimit afër ndërtesës së komunës, sapo është vërejtur nga protestuesit të njëjtit i kanë dalë nga ana tjetër dhe e kanë bllokuar

Aktualisht tre policët janë dujke qëndruar në automjet dhe nuk janë duke ndërmarrë ndonjë veprim.

Ndërsa me të kuptuar situatën, numri i atyre që e kanë bllokuar automjetin po rritet.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Pas situatës së krijuar në veri të vendit, sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojnë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak

​Situatë e qetë në Zubin Potok, dhjetëra protestues para ndërtesës komunale

Dhjetëra qytetarë serbë në Zubin Potok janë duke qëndruar para ndërtesës së kësaj komune, duke protestuar kështu kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të komunave veriore, të dalur nga zgjedhjet e 23 prillit.

Për dallim nga komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit, ku përballë protestuesve qëndrojnë pjesëtarët e KFOR-it, këtu para tyre ndodhen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Vërehen edhe ushtarë të KFOR-it të cilët janë vendosur nëpër pika të ndryshme anash protestuesve.

Protestuesit janë ulur nëpër tenda dhe po dëgjojnë këngë serbe me përmbajtje nacionaliste kushtuar Kosovës.

Situata në këtë komunë aktualisht është e qetë.

Leposaviqi me tavolinë nënshkrimi për protestuesit

Edhe në Leposaviq, sikurse në Zveçan dhe Zubin Potok, janë mbledhur disa protestues para ndërtesës komunale.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se në krye të protestës gjendet një tavolinë me listën e nënshkrimeve.

Protestuesit duhet ta firmosin dokumentin, për ta konfirmuar pjesëmarrjen në protestë.

Mirëpo që gjatë ditës së sotme situata është më e qetë.

Edhe nxënësit e shkollave fillore shihen në protestat në Zveçan

Nxënës të shkollave fillore në Zveçan janë mbledhur të hënën para ndërtesës komunale, po protestojnë serbët lokalë.

Ata kanë paralajmëruar se do të performojnë aty, por nuk dihet çka.

Ku vlen të përmendet që Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Situata në Zubin Potok

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok, kanë raportuar se situata atje është e qetë.

Vërehen më pak protestues sesa ditëve të kaluara.

Kujtojmë që në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta.

Lista Serbe i ka dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme eventuale

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Rakiq e Simiq nuk i ndahen protestuesve në Zveçan

Në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta.

Të dy i kanë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëtarëve të KFOR-it që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë, dhe që të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit për kryetarë të komunave në veri.

Ajo, po ashtu, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje.

Mbildhen serbët

Në Komunën e Zveçanit sot, ditë e hënë shihet një numër i vogël protestuesish, krahasuar me ditët paraprake.

REL raporton se protestuesit janë mbledhur afër ndërtesës së komunës.

Serbët lokalë janë duke mbajtur protesta në tri komunat veriore rregullisht, prej 29 majit.

Ata po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve në objektet komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat