Arifi: Mbajtja e zgjedhjeve në veri ishte hap i gabueshëm

Aktuale

Arifi: Mbajtja e zgjedhjeve në veri ishte hap i gabueshëm

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 00:31
Foto ilustrim

Ish –shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Avni Arifi deklaroi se mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore ishte hap i gabueshëm.

Madje sipas tij, mosdalja në zgjedhje e asnjë qytetari serb është goditja më e madhe për institucionet e Kosovës në 24-vitet e fundit.

“Zgjidhja e problemeve në veri është përcaktuar edhe nga NATO edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se nuk është çështje që zgjidhet me metoda as ushtarake, as policore, por me metodë politike. Këtu ka qenë tërë ideja dhe tërë ideja ka qenë që institucionet e Kosovës të bëjnë githçka që ta integrojnë komunitetin serb në institucione, që të zgjasin dorën, që të krijojnë kushte që ata të njihen komod në institucionet e Kosovës. Gjatë tërë kësaj kohe Kosova është përballë me një presion të tmerrshëm, me intriga, me subvercione të lloj llojshme nga Qeveria e Serbisë dhe të gjithë janë në dijeni në mënyrë që të pengohen serbët të integrohen. Dhe në këtë situatë mbajtjen e zgjedhjeve në të cilat nuk morri pjesë pothuajse asnjë serb e shoh si një goditje për punën e institucioneve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës në 24-vitet e fundit”, tha Arifi.

Kurse i pyetur se a ishte hap i gabueshëm mbajtja e zgjedhjeve ai tha “po natyrisht, natyrisht”.

Ndryshe zgjedhjet e mbajtura në komunat veriore u bojkotuan nga Lista Serbe, ndërkaq dalja në zgjedhje e qytetarëve ishte vetëm 3.47 %.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat