Opozita flet pas takimit me emisarët ndërkombëtarë – ja çfarë diskutuan

Aktuale

Opozita flet pas takimit me emisarët ndërkombëtarë – ja çfarë diskutuan

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 12:46 më 06.06.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Krasniqi: Asnjëherë s’i kam parë më të shqetësuar e zhgënjyer ndërkombëtarët, Kurti e Osmani po krijojnë kriza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se asnjëherë nuk i ka parë më të shqetësuar dhe të zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë se sa tani.

Ai pas takimit me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se nga ta janë informuar në detaje për gjendjen dhe kërkesat.

Sipas tij, nuk ishte e lehtë që nga partnerët strategjik të Kosovës të dëgjohen ankesa karshi veprimeve të institucioneve.

Ai pohoi se PDK-ja do të vazhdojë që të ketë konsultime ditore me të gjitha personat përgjegjës edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në atë pjesë.

Por shtoi se kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani po krijojnë kriza të panevojshëm në vazhdimësi.

Osmani, thotë ia si komandante supreme deri më tash nuk ka pasur deklarim zyrtar edhe për përjashtim e Kosovës nga ushtrimi më i madh “Defender 2023”.

Diskutuam për zhvillimet e fundit. Dëgjuam qëndrimet që janë të njohur. Shqetësimi është i madh është se nuk ka lëvizje përpara, po dëmtohet Kosova. Shprehëm gatishmërinë për të ruajtur relacionet me ShBA-në, nuk është diktuar për tema konkrete. Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”.

Zgjidhja është Qeveria, përgjegjësitë janë te Qeveria, te presidentja. Populli i ka zgjedhë këta njerëz për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i krijuar. Ne kemi vetëm kriza për këto dy vjet të shkaktuara nga kryeministri i Kosovës, të mbështetura nga presidentja. Është e paarsyeshme që presidentja të vazhdojë të heshtë. Ajo ka përgjegjësi dhe mes tjerash është edhe komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i saj nga stërvitja Defender Europe nuk mund të merret me këtë qasje injoruese. Ajo duhet të flasë edhe për shuarjen e ëndrrës së 1000 ushtarëve tanë. Kërkesat janë publike ne i dimë”.

“PDK ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes ku Qeveria pa koordinim, në mënyrë të fshehur ka ndërmarrë veprime që e kanë sjellë këtë situatë, por ne do të jemi në konsultim ditor brenda nesh dhe me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut për të parë se cilat janë veprimet e duhura për të shkuar përpara”.

Abdixhiku pas takimit me emisarët: Kurti s’ka gatishmëri për dakordim, Osmani të jetë më e zëshme në këtë moment kritik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se Kosova po futet në një situatë shqetësuese dhe tepër të paqartë, kjo si shkak i verimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, shqetësuese është edhe mosgatishmëria e Kurtit që të koordinohet me aleatët. Ai madje tha se Kosova mund të ketë edhe pasoja të tjera nga ShBA-ja, BE-ja e NATO.

Abdixhiku shpreson që Kurti të reflektojë, ndërsa i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të jetë “më e qartë dhe më e zëshme në këtë moment kritik për Kosovën”.

Këto komente ai i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Po futemi në një situatë tepër shqetësuese për Republikën dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit për dakordim me aleatët tanë”.

“Në këtë fazë, Kosovës i mbetet t’i sheh pasojat që mund t’i vijnë nga vlerësim i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja. Një gjendje të tillë si LDK e kemi të vështirë ta pranojmë, veprimet tona do të jenë publike, por në të njëjtën kohë ne shpresojmë që ju media ta transmetoni sa më qartë këtë gjendje, si gjendje e paparë deri më tani. Unë shpresoj që ai të reflektojë dhe sërish i bëj thirrje presidentes të jetë më e qartë, më e zëshme, në këtë moment kritik për Kosovën”, tha Abdixhiku.

Lajçaku e Escobari përfundojnë takimin me Osmanin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e kanë përfunduar takimin me presidenten, Vjosa Osmani.

Ata janë drejtuar në Zyrën e BE-së për t’u takuar me kryetarë të partive opozitare.

I parë në shkoi kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas tij erdhi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

I fundi në takim shkoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Fillon takimi i presidentes Osmani me emisarët ndërkombëtar

Para pak minutash ka nisur takimi i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Pas takimit me Osmanin, raportohet që dy emisarët do të kenë një takim me krerët e partive opzitare në Kosovës, e pas kësaj të dy do nisen drejt Beogradit për takim me krerët e shtetit atje.

Kjo vizitë e Escobar dhe Lajçak në Kosovës vjen pas tensioneve në veri që u shkaktuan pas hyrjes së kryetarëve të rinj nëpër objektet komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar edhe zyrtarisht për takimin që pati mbrëmë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Osmani pret sot në takim Lajçakun dhe Escobarin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të pres sot në takim emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe atë të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit, takimi pritet të fillojë nga ora 09:30.

Lajçak dhe Escobar janë takuar dje edhe me kryeministrin Albin Kurti. Dyshja kanë dhënë mesazhe për kthim të qetësisë në veri dhe që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në dialog.

Pas takimit me Osmanin, emisarët do të takohen edhe me opozitën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat