Një grup serbësh pas orës 18:00 kanë bllokuar edhe pikën tjetër kufitare - atë në Merdare.
Serbët e mbledhur në territorin e Serbisë lejonin për kalim vetëm veturat me targa dhe dokumente serbe, teksa ato me targa të Kosovës ndaloheshin dhe kontrolloheshin për të parë nëse kanë dokumente serbe.
Gjendja aktuale në këtë pikë kufitare është e qetë dhe nuk ka qarkullim të automjeteve.
Pas orës 18:00 bllokim të kufirit ka pasur edhe në dy pikat tjera kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa kjo e fundit është mbyllur pasi janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar, të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Ndërkohë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe diasporës kosovare t’i shmangin vendkalimet kufitare me Serbinë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se një familjeje, e cila po udhëtonte drejt Gjermanisë, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
“Kjo po ndodh para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Kryetari i të ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të qarkut Mitrovicë e Kosovës Rasha Rojeviq, ka konfirmuar për mediat serbe se pas orës 18:00 kanë bllokuar vendkalimet kufitare në Bërnjak, Jarinje, Merdare, Kullë, ndërsa ka paralajmëruar se Konçuli në afërsi të Bujanocit mund të bllokohet nesër.
“Do të ndërpritet transporti i mallrave dhe do të ndalohen të gjithë ata që kanë ekskluzivisht dokumente të Kosovës, të gjithë të tjerët mund të kalojnë dhe të lëvizin”, tha Rojeviq.
Radomir Rojeviq, njëri nga organizatorët e bllokadës, tha për agjencinë serbe të lajmeve Beta se aktualisht janë 30 persona në Jarinje dhe Bërnjak, dhe 50 në Kullë dhe Merdare.
"Do t'i mbajmë të bllokuara vendkalimet deri në orën gjashtë të mëngjesit, kur do të vijnë njerëzit për të na zëvendësuar. Turi zgjat 12 orë. Bllokimi i vendkalimeve do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave tona”, tha ai.
Bllokada e vendkalimeve kufitare është organizuar nga shoqatat lokale nga Beogradi, Nishi, Novi Sadi, Kraleva, Kragujevci, Smedereva, Rashka, Nikshiqi, Bjello Pole, Berane, Banja Lluka, me kërkesë për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu, pas mbylljes së institucioneve paralele serbe javën e kaluar.