Gërvalla: Ndërkombëtarët t’i japin mesazhin Vuçiqit që të mos vajtojë, por t’i kryejë detyrat e shtëpisë

Aktuale

Gërvalla: Ndërkombëtarët t’i japin mesazhin Vuçiqit që të mos vajtojë, por t’i kryejë detyrat e shtëpisë

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 18:20
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla është shprehur se Banjska dëshmoi dështimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Po ashtu, Gërvalla theksoi se Vuçiq dështoi aq shumë, sa dhe serbët e Kosovës e kuptuan që atij nuk i intereson për problemet e tyre.

“Banjska ka dëshmuar disa gjëra, e para ka dëshmuar që Kosova është shtet Sovran, i cili mund të mbrojë jo vetëm kufijtë dhe qytetarët e vet, por edhe sovranitetin. Po ashtu në Banjskë Vuçiqi ka dështuar tërësisht, sepse jo vetëm ka dështuar grupi i tij kriminal ta bëjë atë për të cilën është nisur, por në të njëjtën kohë dështuar me serbët e Kosovës, të cilët përfundimisht e kanë kuptuar që Aleksandar Vuçiq jo vetëm që nuk kujdeset për ta, jo vetëm që nuk i interesojnë problemet e tyre, por që mundohet kurdo që ka mundësi t’i shfrytëzojë”, u shpreh ministrja në DPT te Fidani.

“Shihni aksionin e fundit në kufijtë me Kosovës, i cili demonstron dy gjëra, e para demonstron që për dallim nga e kaluara kur bllokadat janë bërë brenda territorit të Kosovës, duke keqpërdorur dhe qytetarët të Kosovës serbë, bllokadat e fundit janë bërë jashtë kufijve dhe ka pasur numër modest të serbëve”.

Tutje Gërvalla thotë se ka ardhur koha që Bashkësia Ndërkombëtare t’i jap mesazhin e qartë presidentit serb që të mos vajtojë, por që t’i kryej detyrat e shtëpisë e të mos destabilizojë fqinjët.

“E kuptojmë që tani Vuçiqi ka nevojë për teatër, ai e ka zakon të vajtojë e ta dëgjojë e gjithë bota, sidomos se ne në Kosovë jemi të padrejtë me të, por ka ardhur koha që të jepet mesazhi i duhur nga Bashkësia Ndërkombëtare për t’i thënë mjaft vajtove, ulu kryej detyrat e shtëpisë e mos kërcëno më fqinjët as në Kosovë, e as në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe mos u merr me destabilizim të fqinjëve”, theksoi Gërvalla.

“Ka ardhur vërtetë koha që t’i jepet fund, nuk mund të blihet paqja në rajon me licium”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat