Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për eo se pronari i kompanisë së punëtorëve teknik të Kuvendit të Kosovës, e ka paditur atë për shkak të kërkesave për rritje të rrogave për këta punëtorë.
Azemi ka deklaruar se pronari i kompanisë ka bërë padi penale në gjykatë, duke shtuar se ka mbi një vit që nuk ka paguar fare trustin pensional për këta punëtor.
Ai u shpreh se punëtoret teknik të Kuvendit të Kosovës që të hënë kanë nisur grevën, me kërkesat e tyre për rritje pagash deri 550 euro, nuk do të punojnë deri sa operatori të i plotësoj kërkesat e tyre.
“Duam të tregojmë edhe fytyrën e institucionit tonë, deputetëve edhe Qeverisë së Kosovës t’i tregojmë që përkundër asaj që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në lidhje me pagën 350 euro, këta punëtorë këtu marrin pagë 275 euro. Përkundër bisedimeve nuk kemi arritur një marrëveshje, këta punëtor kërkojnë paga 550 euro. Përderisa të mos nënshkruhet kontrata mes këtyre mes punëtorëve dhe operatorit ekonomik pagën nën 550 këta punëtor nuk do të kryejnë shërbimet e tyre. Është një pasqyre edhe e këtyre institucioneve që kemi. Presim që pagat tona të rriten konform rritjes ekonomike dhe konform inflacionit që është bërë në Kosovë”, ka thënë Azemi.
“I kemi njoftuar të gjitha institucionet, duke u nisur nga kryeparlamentari, nga drejtori i administratës nga sekretari. Realisht e kemi njoftuar edhe pronarin e kompanisë, por në vend që të bisedojë pronari e kompanisë, ka bërë një padi penale në gjykatë dhe ne na duhet që të takohemi në gjykatë në lidhje me pronarin e kompanisë. Sepse ne kemi kërkuar që të rritet paga e tyre, përkundër asaj që pronari i kompanisë ka më shumë se një vit që nuk ka paguar fare trustin pensional, ai ka gjetur momentin dhe ka gjetur guximin sepse te ne mund të gjendet guximi që të padite kryetari i sindikatës se pse ka kërkuar pagë më shumë se 275 euro”, ka thënë ai.