Haradinaj: Sjellja e Vetëvendosjes është rrëshqitje drejt një grusht shteti

Aktuale

Haradinaj: Sjellja e Vetëvendosjes është rrëshqitje drejt një grusht shteti

Më: 17 prill 2025 Në ora: 19:57
Daut Haradinaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka ashpërsuar tonet ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për keqpërdorim të pushtetit dhe bllokim të qëllimshëm të procesit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se LVV po zvarrit konstituimin e Kuvendit përmes “keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues” dhe po rrezikon rendin demokratik në vend.

“Mënyra e zgjedhur e veprimit politik në emër të keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues për konstituimin e Kuvendit nga partia fituese LVV është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit tonë.

Me këtë qasje dhe veprime nga LVV si parti fituese, e në mungesë të numrave për krijimin e institucioneve, nga bllokadë institucionale në konstituimin e Kuvendit të Republikës sonë, siç duket po rrëshqasim edhe drejt një grushti shteti, përderisa individë të caktuar (të zgjedhur tashmë si deputetë të rinj), me pushtet të skaduar ligjërisht dhe sipas Kushtetutës, po vazhdojnë me qeverisjen e vendit dhe po nxjerrin vendime të paligjshme.

Ngarkimi dhe ushtrimi i pushtetit pa mandat ligjor e kushtetues nuk mund të quhet ndryshe veçse një grusht shteti. Arsyetimet rreth vakumit institucional, përderisa shteti ka Zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra për secilën ministri, janë të pabaza dhe nuk qëndrojnë aspak. Mjaft më me mashtrime, bllokime e izolim të vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat