Ndërpritet seanca/ Kuvendi sërish dështon ta zgjedhë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare - këto janë detajet

Aktuale

Ndërpritet seanca/ Kuvendi sërish dështon ta zgjedhë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare - këto janë detajet

Më: 19 prill 2025 Në ora: 07:39 Përditësuar në ora: 15:10 më 19.04.2025
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 19 prill 2025.

Haxhiu dështon të zgjidhet kryeparlamentare, seanca ndërpritet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish dështuan të zgjidhnin Albulena Haxhiun nga LVV-ja në postin e kryeparlamentares.

Në votimin e dytë, Haxhiu mori 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Propozimi nuk kaloi dhe kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu senacën për 48 orë.

Pra, deri të hënën në orën 15:00.

Haxhiu propozohet sërish për kryeparlamentare

Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje propozoi që të votohet Albulena Haxhiu për postin e kryeparlamentares, pas dështimit në tentimin e parë

“Ju lus ta mbështetni këtë propozim sepse vetëm kështu nuk bllokoni konstituimin”, tha Konjufca, duke theksuar se vetëm partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast Lëzivjes Vetëvendosje, i takon propozimi i kryeparlamentarit.

Si votuan deputetët për Haxhiun si kryeparlamentare?

Propozimi që Albulena Haxhiu të marrë postin e kryeparlamentares në legjislaturën e nëntë mori votat e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë deputetëve të pakicave joserbe përveç Duda Bales dhe Veton Berishës.

Pro zgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare votoi edhe Nenad Rashiq, partia e së cilit ka siguruar një nga dhjetë ulëset që u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb.

Kundër zgjedhjes së Haxhiut votuan deputetët e zgjedhur të LDK-së, ndërsa ata të Nismës Socialdemokrate abstenuan.

Ndërkohë, PDK-ja, Lista Serbe dhe disa deputetë të AAK-së s’morën pjesë në votim

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e lëshoi sallën para se të niste votimi.

Pasi dështoi zgjedhja e Haxhiut si kryeparlamentare, seanca është në pauzë.

Krasniqi: Procesi ishte bllokuar sepse po shihet se VV-ja s’i ka numrat

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se bllokimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që nga 15 prilli është për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë.

“Ishin 52, qenkan bërë 57, nuk besoj që do të bëhen 61”, tha Krasniqi.

Për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri dhe formimit të qeverisë duhet 61 vota.

Ai tha se partia e tij votoi për raportin e mandatit të deputetëve sepse në procesverbal është përfshirë deklarata se kabineti qeveritar kanë dhënë dorëheqje individuale.

Bajrami: LDK do të ngrehë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Qeverisë

Hykmete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se partia e saj do të bëjë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë dhe të cilët bënë sot betimin, për ushtrim të funksioneve ekzekutive.

Ajo tha se neni 70 i Kushtetutës thotë “qartë se mandati i deputetit nis me datën e certifikimit të rezultateve”.

Sipas saj, që nga 27 marsi – kur është certifikuar rezultati zgjedhor – anëtarët e Qeverisë – të betuar tashmë si deputetë – kanë bërë shkelje, duke mbajtur postin ekzekutiv.

Pastaj do të shohim hapat për Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Sa i përket kryeparlamentarit, Bajrami tha se LDK nuk ka asnjë kandidat të pranueshëm për këtë post nga LVV-ja.

Kuvendi dështon të zgjedhë Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit

Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhej kryetare e re e Kuvendit të Kosovës.

Në votimin për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, tre deputetët e Nismës abstenuan, ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim.

LVV propozon Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Betohen deputetët

Pas votimit unanim për raportin e mandatit të deputetëve, deputetët e zgjedhur kanë bërë betimin në Kuvendin e Kosovës.

Ata u ngritën të gjithë në këmbë për të lexuar tekstin e betimit.

Teksti i deklaratës së betimit

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit.
Betohem!”

Deputetët votojnë raportin për verifikimin e mandateve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit.

Raporti u miratua nga 119 deputetë, aq sa ishin të pranishëm në sallë.

Kryesuesi i Komisionit, Artan Abrashi paraqiti para deputetëve raportin për verifikimin e mandateve, bazuar në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, përmban edhe listën e 120 deputetëve të rinj.

Miratimi i këtij raporti i hap rrugën betimit të deputetëve të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Rinis seanca pas takimit të komisionit

Pas takimit të komisionit të përkohshëm për hartimin e raportit të ri për mandatet e deputetëve, tashmë ka rinisur seanca për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.

Rinisja u vonua për rreth gjysmë orë pasi votuan disa nga deputetët e zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tani pritet të votohet ky raport në seancë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat