Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ani pse në pesë tentime e njëjta nuk ka marrë votat 61 votat e nevojshme për këtë post.
Pas dështimit për herë të shtatë të konstituimit të Kuvendit, Peci i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se populli i ka dhënë të drejtën kësaj të fundit që ta ketë kryetarin e Kuvendit.
Sipas tij, bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, partitë opozitare nuk mund të përcaktojnë të drejtën e partisë fituese se kënd ta nominojnë për kryeparlamentar.
Rrugë-dalja e vetme, sipas Pecit, është që partitë opozitare të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe trupave të tjerë të këtij organi legjislativ.
Peci: Kjo është zgjidhja e ngërçit në Kuvend
“Populli i ka dhënë të drejt Lëvizjes Vetëvendosje që ta ketë kryetarin e Kuvendit. Është e papranueshme që partitë opozitare të thonë se këtë drejt që iu ka dhënë qytetari dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese na lejoni neve që të kemi të drejtën që ta zgjedhim se kush duhet të jetë kryetar i Kuvendit. Ky është problemi dhe rrugë-zgjidhja që duhet me dalë. Në rast se kryetari i Kuvendit këtë të drejt ia ka deleguar qytetari dhe ka interpretim nga kushtetuesja nuk i takon partive opozitare që të thonë se na jepni këtë të drejt neve që të përcaktojmë ne. Kuvendi i Kosovës nuk i takon vetëm shumicës, pasi ndryshe me këtë logjik duhet me qenë edhe të gjithë nënkryetarët. Përderisa nënkryetarët i takojnë edhe partive të tjera, PDK-së dhe LDK-së, pasi AAK-ja s’ka nënkryetar. Po ashtu janë nëntë deputetë të komuniteteve jo shumicë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë që po i japin përkrahje këtij vullneti qytetarë që është përcaktuar me 9 shkurt”, tha ai.
I pyetur nëse Guxo ka shprehur kundërshtim të ashpër mbi mundësitë që kryetar i Nisma Socialdemokrate, deputeti, Fatmir Limaj të nominohet nga LVV-ja për kryeparlamentar, Peci tha se kjo është e pavërtetë, derisa ritheksoi se emri i vetëm i fituesit të zgjedhjeve është deputetja Albulena Haxhiu.
Peci: Haxhiu do të vazhdojë të jetë e propozuara për kryetare të Kuvendit
“Kjo është e pavërtetë...I pranueshëm për LVV-në vazhdon të jetë Albulena Haxhiu... Votat nuk kanë qenë edhe nja dy-tri herë për çështjen e verifikimit të mandateve. E njëjta logjik de-bllokuese duhet të ndiqet nga partitë opozitare dhe pastaj futemi në tema të tjera”, theksoi Peci.