Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidate për kryetare të parlamentit, është sfiduar në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com nga kryeredaktori Muhamet Hajrullahu për qëndrimet kundërshtuese që LVV ka pasur në të kaluarën ndaj të gjitha votimeve për kryetar të Kuvendit.
Hajrullahu: Nëse kthehemi në histori, Lëvizja Vetëvendosje, kurrë s’e ka votuar asnjë kryeparlamentar kur ka qenë në opozitë?
Haxhiu: Sepse ka pasur koalicion, domethënë, nuk kanë pasur nevojë për votat e Lëvizjes Vetëvendosje sepse kanë pasur shumicën.
Hajrullahu: Por meqë ka qenë çështje proceduriale, ju nuk keni qenë faktor unifikues.
Haxhiu: Ne e kemi shumë të rëndësishme që ta konstatojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo në asnjë rrethanë nuk mendojmë që këto si me thënë as shantazhet, as ndonjë formë tjetër që mund të përdoret nga kushdo qoftë, që mund të na detyrojnë neve që të heqim dorë nga e drejta jonë kushtetuese edhe nga ajo çka na njeh edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Haxhiu, ka deklaruar se LVV është e gatshme të zhvillojë konsultime me partitë e tjera politike për të gjetur një rrugëdalje nga situata e bllokuar në Kuvend.
“Ne jemi shumë të gatshëm që të takohemi me partitë politike”, tha Haxhiu, duke kujtuar përpjekjet e mëparshme të ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për të ftuar partitë në konsultime, si dhe ftesën e kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Haxhiu theksoi se një nga pikat kryesore të diskutimit do të ishte konstituimi i Kuvendit, duke theksuar përgjegjësinë e të gjitha partive për të gjetur një zgjidhje.