Ndërpritet seanca, dështon për herë të tetë konstituimi i Kuvendit

Aktuale

Ndërpritet seanca, dështon për herë të tetë konstituimi i Kuvendit

Më: 29 prill 2025 Në ora: 06:56 Përditësuar në ora: 11:01 më 29.04.2025
Kuvendi i Kosovës

Murati: Kemi dëgjuar që ka deputetë nga opozita që janë të gatshëm të votojnë për, nuk po i lejojnë qëndrimet e partive të tyre

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kuvendi po dështon ta konstituojë vetveten.

“Siç edhe e patë kemi një përsëritje të seancave të kaluara ku kuvendi dështon të konstituojë vetveten, kjo vjen si rezultat sepse një pjesë e deputetëve refuzojnë të votojnë për kandidaten që e kemi propozuar si fitues të zgjedhjeve, e drejtë që na garantohet dhe përcaktohet me kushtetutë”, tha ai.

Murati shtoi se kjo situatë është për shkak “të atyre që nuk po votojnë për”.

“Bllokadë do të ishte nëse do të vepronim ashtu siç kanë vepruar ata në të kaluarën, pra të mos propozojmë fare kandidat në seancë dhe pastaj kjo të zvarritej derisa ne të arrinim marrëveshje politike në situata tjera për formimin e qeverisë siç ka ndodhur me ata”, tha ai.

“Siç i dëgjuat edhe të tjerët pra ka akuza që po kërkohet të votohet me zor, përkundrazi kemi dëgjuar që deputetë individualë nga opozita kanë shprehur vullnetin që të dalin nga kjo situata dhe të votojnë për, megjithatë janë qëndrimet politike të subjekteve të tyre që nuk i lejojnë që të ndahen nga Grupi Parlamentar dhe nga vota uniforme që e kanë si grup”, tha Murati. 

Krasniqi: Shpreh keqardhje për këtë tallje që po e bën Vetëvendosje, koha e sundimit njëpartiak ka përfunduar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ndien keqardhje për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës ku edhe sot dështoi të zgjidhet kryeparlamentare e propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

“Shpreh keqardhjen për këtë tallje që po bëhet nga ana e partisë së parë e cila edhe sot për tetën herë sillet me mentalitetin e njëjtë.  Demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim. Institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politikë të veçantë. Duhet ta kuptojnë të gjithë që koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë Lëvizja Vetëvendosje këto tri çështje aq më mirë për vendin”.

Krasniqi tha se është e tepërt “që të sillemi këtu çdo dy ditë duke pritur që t’i thirrin arsyes dhe të propozojnë një kandidat apo kandidate që merr shumicën e deputetëve të Kosovës”.

“Po e përsëris: Po i takon Vetëvendosjes të propozojë, por s’mund t’i kërkojë votat me zor. Ky mentalitetit i imponimit dhe i preisonit e nënshtrimit duhet të marrë fund”.

“Në emër të PDK-së shpreh keqardhjen më të madhe në drejtim të qytetarëve për këtë situatë dhe tallje që  po ebën me të gjithë si partia që me qëllim po e mban të bllokuar Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi pas seancës.

Bajrami pas dështimit të seancës: Kuvendi është shndërruar në cirk

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është deklaruar për media pas dështimit të radhës së konstituimit të Kuvendit, duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, e duke thënë se parlamenti është shndërruar në cirk.

Ajo, situatën e krijuar e ka cilësuar si pengmarrje e institucioneve nga VV-ja, dhe duke deklaruar se kjo është duke i kushtuar qytetarëve të vendit.

‘‘Kuvendi me insistimin për kandidaturën e njëanshme është shndërruar tanimë në një cirk. Është era e gjashtë qël Haxhiu morri, kësaj radhe vetëm 54 vota dhe ata insistojnë në këtë kandidaturë . LDK është për një zgjedhje, për të gjetur një zgjedhje kushtetuese.

Peng marrja e institucioneve nga VV-ja është duke i kushtuar qytetarëve të Kosovës, ata po përballen me probleme të ndryshme dhe askush to nuk po i adreson. Edhe njëherë po them që na vjen keq, që në bazë të rezultati dhe vullnetit tonë jemi pjesë e kuvendit të Kosovës, mirëpo pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj që është bërë mjaft për secilin qytetarë të Kosovës’’, ka thënë ajo.

Ndërpritet seanca, dështon sërish zgjedhja e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare

Nga: A.M.

Deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas tentimit të tetë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, përsëri nuk i mori votat e mjaftueshme.

Për votuan 54 deputetë, 44 kundër dhe 3 abstenuan, shkruan “Bota sot”.

Seanca e radhës do të mbahet më 1 maj, njoftoi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.

Në prag të seancës, përfaqësues të partive parlamentare veçse kishin paralajmëruar dështimin e radhës të seancëse, duke thënë se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet nga seancat e kaluara.

Haradinaj: Nëse ndërrohet kandidati, sot mund të votohet kryeparlamentari

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur pesimist se sot partia e parë mund të vijë me një propozim tjetër për kryeparlamentar.

Haradinaj para mediave tha se si parti kanë dhënë zgjidhje për një kandidat unifikues.

“Nëse ndërrohet kandidati mund të lëvizë diçka, përndryshe situata do të jetë e njëjtë. Kemi dhënë një zgjidhje për kandidatë unifikues, nëse kjo ndodhë me siguri se do të votohet. Ne kemi përmendur dy emra, por ka edhe emra të tjerë”, tha Hardinaj.

Para nisjes së seancës deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka konfirmuar se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuara e VV-së për kryeparlamentare.

Sveçla: Përsëri Albulena Haxhiu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot në seancën parlamentare se pret që Albulena Haxhiu të jetë përsëri në qendër të zhvillimeve politike.

“Mirëmëngjes, a jeni lodhur, si e keni kaluar?

A po pritni ju diçka ndryshe?

Patjetër që është përsëri Albulena Haxhiu”, u shpreh Sveçla.

Zemaj i LDK-së: S’mund të ndryshojmë qëndrim, s’e kemi ne mandatin të krijojmë institucionet e reja

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se partia e tij s’do të ndërrojë qëndrim për propozimin e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.

Ai tha se presin që të reflektojë partia fituese, për të cilën tha se nuk ka marrëveshje me ndonjë subjekt politik për formim të institucioneve.

“Nuk mund të ndryshojmë ne qëndrim sepse është e paarsyeshme e papërfillshme sepse ne nuk e kemi mandatin e të parit që të krijojmë institucionet e reja. Ne kemi një heshtje të kryeministrit , si duket i konvenon kjo situatë. Nuk ka ndonjë deklarim nga ana e tij. Një barrikadim sepse po shihet që është lojë politike”, tha ai.

Ndërkaq, për idenë që në zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentare, Zemaj tha se “kushdo që mendon t’i kemi dy palë zgjedhje s’ia do të mirën këtij vendi”.

Dimal Basha: Albulena s’po iu pëlqen se është e zhurmshme, opozita po e do një grua të heshtur

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, sërish i ka dhënë kahje gjinore dështimit për të zgjedhur Albulena Haxhin kryeparlamentare.

Ai tha se ajo s’e ka “asnjë njollë të vetme në punën e saj” dhe tha se arsyeja që opozita s’po e voton Haxhiun “në thellësi është ofenduese”.

Basha tha se ata do të vazhdojnë të propozojnë emrin e saj prapë, ndërsa tha se për zhbllokimin e Kuvendit duhet opozita të reflektojë.

“Duhet të reflektojnë sot dhe të zhbllokojnë”.

“Me thënë është një seksizëm i brendshëm. Po e duan një grua të heshtur. Këtë po e thotë opozita. ‘Nuk na pëlqen sepse është grua e zhurmshme’”.

Ndërkaq, për propozimet e AAK-së për dy deputete të Vetëvendosjes, Basha u mbrojt duke thënë se “nuk iu takon atyre me propozu gra të tjera”.

Po ashtu, ai u pyet nga gazetarët para Kuvendit se pse Vetëvendosje s’e kishte votuar Kadri Veselin për kryeparlamentar, Basha tha se “atëherë ka qenë tjetër lojë”.

Peci: Opozita e ka mundësinë me fillu javën mirë sot

Propozimi mbetet i njëjtë – thotë deputeti Faton Peci deri sa Kuvendi për pak mblidhet në vazhdimin e tetë të seancës konstituive.

“Sa më shpejt që opozita bindet që është e drejtë e VV-së që ta ketë kandidaten për kryetare të Kuvendit, aq më shpejt do të kemi zhbllokim të situatës dhe themelim të institucioneve.

Bisedimet nuk përfundojnë asnjëherë, bisedime mund të ketë mes takimeve të ndryshme por pjesë e diskutimeve është edhe ky komunikim që po e bëjmë përmes mediave.

Opozita e ka mundësinë me fillu sot mirë javën për me reflektu”, tha ai.

VV nuk zmbrapset, Murati: Propozimi ynë edhe këtë herë është Albulena Haxhiu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të mblidhen në objektin e legjislativit, ku pritet të vazhdojë seanca konstituive e legjislaturës së nëntë.

Pas shtatë dështimeve radhazi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, u bëri thirrje partive parlamentare që të votojnë për zhbllokimin e situatës.

Ai ritheksoi se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, pavarësisht se e njëjta në pesë tentime nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.

Murati: Propozimi për kryeparlamentare vazhdon të jetë Albulena Haxhiu

“Po shpresoj që ngjashëm me ditën e bukur sikur është sot do të kemi edhe një rezultat të kënaqshëm në Kuvend në mënyrë që të hapet rruga dhe të zhbllokohen institucionet dhe të vazhdojmë me procedura të tjera kushtetuese....Patjetër që është. Propozimi jonë si parti fituese dhe drejtë kushtetuese e jona është Albuelna Haxhiu. Ftoj dhe lusë edhe një herë të gjitha partitë që të marrin pjesë në votim dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit, pasi është detyrë e deputetëve sipas Kushtetutës”, tha ai.

I pyetur nëse ka pasur takime me partitë parlamentare, ai e mohoi një gjë të tillë, mirëpo tha se publikisht vazhdimisht kanë bërë thirrje që të zhbllokohet procesi i zgjedhjes së kryeparlamentarit, duke ndërlidhur nevojën për konsensus edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve.

Murati: S’ka pas takime, mirëpo në vazhdimësi kemi bërë thirrje që të zhbllokohet procesi

“Ne në vazhdimësi kemi bërë ftesë dhe thirrje që të zhbllokohet procesi. Siç e dini nuk është vetëm pozita e kryetarit por edhe nënkryetarëve që të ketë një marrëveshje dhe të vazhdohet tutje...jo privatisht, çdo gjë është transparente sepse konstituimi i Kuvendit i takon të gjitha partive politike dhe nuk është vetëm çështje e koalicionit qeverisës siç po pretendohet të pretendohet. Koalicioni qeverisës vlen për qeverinë pas konstituimit të Kuvendit, ku mandatari i ka edhe 15 ditë që të formojë”, shtoi Murati.

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e tetë të seancës për konstituimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Vazhdimi i seancës nis në orën 10:00 dhe është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

Në pesë tentime, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të re të Kuvendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat