Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të mblidhen në objektin e legjislativit, ku pritet të vazhdojë seanca konstituive e legjislaturës së nëntë.
Pas shtatë dështimeve radhazi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, u bëri thirrje partive parlamentare që të votojnë për zhbllokimin e situatës.
Ai ritheksoi se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, pavarësisht se e njëjta në pesë tentime nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.
Murati: Propozimi për kryeparlamentare vazhdon të jetë Albulena Haxhiu
“Po shpresoj që ngjashëm me ditën e bukur sikur është sot do të kemi edhe një rezultat të kënaqshëm në Kuvend në mënyrë që të hapet rruga dhe të zhbllokohen institucionet dhe të vazhdojmë me procedura të tjera kushtetuese....Patjetër që është. Propozimi jonë si parti fituese dhe drejtë kushtetuese e jona është Albuelna Haxhiu. Ftoj dhe lusë edhe një herë të gjitha partitë që të marrin pjesë në votim dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit, pasi është detyrë e deputetëve sipas Kushtetutës”, tha ai.
I pyetur nëse ka pasur takime me partitë parlamentare, ai e mohoi një gjë të tillë, mirëpo tha se publikisht vazhdimisht kanë bërë thirrje që të zhbllokohet procesi i zgjedhjes së kryeparlamentarit, duke ndërlidhur nevojën për konsensus edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve.
Murati: S’ka pas takime, mirëpo në vazhdimësi kemi bërë thirrje që të zhbllokohet procesi
“Ne në vazhdimësi kemi bërë ftesë dhe thirrje që të zhbllokohet procesi. Siç e dini nuk është vetëm pozita e kryetarit por edhe nënkryetarëve që të ketë një marrëveshje dhe të vazhdohet tutje...jo privatisht, çdo gjë është transparente sepse konstituimi i Kuvendit i takon të gjitha partive politike dhe nuk është vetëm çështje e koalicionit qeverisës siç po pretendohet të pretendohet. Koalicioni qeverisës vlen për qeverinë pas konstituimit të Kuvendit, ku mandatari i ka edhe 15 ditë që të formojë”, shtoi Murati.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e tetë të seancës për konstituimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Vazhdimi i seancës nis në orën 10:00 dhe është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari.
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.
Në pesë tentime, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të re të Kuvendit.